Kurti në Francë përmend sulmin terrorist në Banjskë: Shumica nga kryesit e këtij akti janë ende të lirë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në kuadër të Forumit të Paqes ka mbajtur një diskutim mbi temën “krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt”, ku foli për rreziqet të cilat i kanosen Kosovës.

Kurti, gjatë këtij diskutimi përmendi agresionin e Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, për të cilin agresion Kurti tha se grupi terrorist ka dashur të shkaktojë përshkallëzim të një përmase më të madhe dhe t’i krijohet ushtrisë serbe një pretekst që të hyjë në Kosovë.

“Megjithatë, kryesit e këtij akti terrorist, shumica dërmuese janë të lirë në Serbi, përfshirë liderin e atij grupi, Milan Radoiçiqi, i cili ka pranuar publikisht që ai e ka udhëhequr këtë sulm, por që është arrestuar dhe liruar pas pak orësh në javën e parë pas këtij sulmi”.

“Për sigurinë e vendit tonë duhet të kujdesemi për këto grupe që duan t’i ngjajnë Wagnerit, që duan të shkaktojnë destabilizim, ndërsa në anën tjetër duhet të fokusohemi kryesisht tek situata gjeopolitike ku nuk kemi kurrfarë alternative, sepse nuk duam të kemi alternativë përveç BE-së dhe NATO-s”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.

Më tej, Kurti tha se Federatës Ruse i kanë pëlqyer shumë përpjekjet për destabilizimin e Ballkanit, të cilat sipas tij, kanë efekt përhapës në kuptimin e largimit të vëmendjes nga agresioni që Rusia e ka filluar para dy vitesh në Ukrainë.

“Dhe gjëja e fundit që dua të përmend është fakti që në secilin konflikt me të cilin ballafaqohemi sot, Rusia e Irani s’janë as pasivë e as jashtë atij konflikti. Këto luftërat hibride nuk kanë kufizim tokash”.

“Kudo që shohim një konflikt të ri që lind, ka disa fuqi e superfuqi që duan ta shohin atë konflikt në flakë, kanë punuar paraprakisht, e gëzojnë atë aktualisht dhe pastaj investojnë që ashtu të vazhdojë edhe në të ardhmen. Mu për këtë ka aq shumë faktorë e aktorë me të cilët duhet të merremi edhe kur çështja mund të duket lokale në dukje të parë”.