Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së ushtrimit ushtarak “Defender Europe 23” e cila u mbajt në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e në të cilën Kosova është nikoqire e këtij ushtrimi.
Fjalën e tij, kryeministri Kurti e nisi duke thënë se ‘Sot, këtu, në sheshin që mban emrin e kryeheroit tonë dhe njërit prej strategëve më të njohur ushtarakë që ka njohur njerëzimi –Skënderbeut, po shënojmë fillimin e ushtrimit të madh të drejtuar nga aleati ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës’.
Kryeministri Kurti tha me këtë rast se ushtrimi Defender Europe 23 është ngjarja me e madhe stërvitore ushtarake që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë.
“Republika jonë sot është e nderuar që për herë të dytë është vend nikoqir i ushtrimit që shtrihet prej zonës së Mesdheut e deri në kufijtë lindorë të kontinentit tonë. Mbi 1300 ushtarakë të forcave tona do të ekzekutojnë detyra stërvitore ushtarake në krahë të 24 mijë ushtarakëve të forcave të armatosura të 25 vendeve të NATO-s dhe vendeve partnere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha kryeministri Kurti.
Më tej, kryeministri shtoi se Forca e Sigurisë së Kosovës në këtë ushtrim radhitet e katërta në mesin e 25 ushtrive pjesëmarrëse sa i përket numrit të personelit të angazhuar në këtë ushtrim, që siç tha ai dëshmon për vullnetin që kemi për të zhvilluar sistemin tonë të mbrojtjes, por dhe përkushtimin tonë të palëkundur për të qenë pjesë e sistemit të përbashkët të mbrojtjes së vendeve që përqafojnë e përfaqësojnë vlerat demokratike.
Duke ju uruar suksese në përmbushjen e objektivave të ushtrimit, kryeministri Kurti tha se njëherit ju siguroj që do të vazhdoni të keni mbështetjen e Qeverisë së Republikës dhe institucioneve të shtetit në ngritje dhe zhvillim profesional.
“Demokracia, shoqëria dhe vlerat njerëzore kanë nevojë për ushtrinë më shumë se kurrë, sepse demokracia është sistemi më i brishtë pikërisht sepse është sistemi më i hapur”, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij.
Kjo është hera e dytë që Kosova është pjesë e këtij ushtrimi ushtarak, në të dy herat është vend nikoqir. Me mbi 1000 ushtarë më shumë se në ushtrimin paraprak, Kosova radhitet si vendi i katërt për sa i përket personelit të angazhuar në këtë ushtrim në mesin e 25 ushtrive pjesëmarrëse.