Viti i themelimit të Policisë së Kosovës përkon me çlirimin e vendit tonë. Qindra ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vitin 1999, pas uniformës fitimtare ushtarake, vazhduan me misionin e zyrtarit policor, në shërbim të Kosovës dhe të qytetarëve tanë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, në ceremoninë e organizuar në shënim të 23-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.
Kryeministri tha se angazhimi i policëve tanë nuk pushoi asnjëherë që prej atëherë. Nga Ministri i parë i brendshëm në Kosovën e çliruar, z.Rexhep Selimi, e deri tek ministri ynë aktual.
Zyrtari policor, përveç përgjegjësisë që mban mbi supe, çdo ditë të jetës së tij, në detyrë dhe jashtë saj, e ka edhe peshën e misionit më fisnik, që ndokush mund ta ketë: sigurinë e vendit dhe të jetës së qytetarëve, tha Kryeministri.
Liria dhe siguria janë qenësore dhe ju duhet të jeni garancia për to. Liria është e qytetarit dhe siguria është për qytetarin, shtoi ai.
Në veçanti Kryeministri potencoi se dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por çështje e sigurisë dhe mirëqenies publike e sociale. Andaj, nga Policia e Kosovës pritet e kërkohet të jenë në nivelin më të lartë të detyrës kudo, në çdo rrugë e në çdo cep të vendit tonë.
Kryeministri Kurti falënderoi zyrtarët policorë për punën që bëjnë çdo ditë.
Për këtë kohë sa bashkëpunojmë, ju keni dëshmuar se jeni të pa kompromis në luftën që i keni shpallur krimit dhe për këtë janë rezultatet tuaja, që njihen jo vetëm në Kosovë, por edhe botërisht. Nuk jeni ndalur, ndonëse nga bandat e ndryshme u janë drejtuar armët e u janë shkrepur plumba. Puna dhe rezultatet tuaja të përditshme do t’i pengojnë krimit dhe atyre që e ushqejnë atë. Përpjekjet për të ju mundur e sprapsur, do të jenë të vazhdueshme. Qarqe të caktuara do të përpiqen të ju kthejnë në anën e tyre, por ju angazhohuni, që ata të dështojnë, tha kryeministri.
Ai kujtoi 21 zyrtarët policorë, që ranë në krye të detyrës, në përpjekje të vendosjes së rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës. Përkujtoi heroin Enver Zymberi, që ra në mbështetje të sovranitetit tonë shtetëror dhe respektimit të integritetit territorial e kundër krimit dhe paligjshmërisë.
Bashkërisht duhet të punojmë për të mbushur zbrazëtirat, që janë krijuar ndër vite, për të krijuar një polici model, që mund t’u përgjigjet të gjitha situatave. Integriteti moral e integriteti personal janë shtyllat e domosdoshme brenda Policisë së Kosovës, një polici, e cila është shembull për profesionalizmin e saj, ndërsa edhe ne do të qëndrojmë përballë përgjegjësive, që kemi ndaj juve, tha Kryeministri Kurti në përmbyllje të fjalës së tij.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuar Presidente e Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani Sadriu,
I nderuari Ministër i Punëve të Brendshme, z.Xhelal Sveçla,
I nderuar ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, z.Fehmi Hoti,
I nderuari Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari,
I nderuari Komandant i KFOR-it, z.Kajari,
I nderuari drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, z.Petrit Ajeti,
I nderuari drejtor i Doganave të Kosovës, z.Agron Llugaliu,
Të nderuar udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar eprorë e zyrtarë të Policisë së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
Viti i themelimit të Policisë së Kosovës përkon me çlirimin e vendit tonë. Qindra ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vitin 1999, pas uniformës fitimtare ushtarake, vazhduan me misionin e zyrtarit policor, në shërbim të Kosovës dhe të qytetarëve tanë.
Angazhim i policëve tanë nuk pushoi, asnjëherë që prej atëherë. Nga Ministri i parë i brendshëm në Kosovën e çliruar, z.Rexhep Selimi, e deri tek ministri ynë aktual. Zyrtari policor, përveç përgjegjësisë që mban mbi supe, çdo ditë të jetës së tij, në detyrë dhe jashtë saj, e ka edhe peshën e misionit më fisnik që ndokush mund ta ketë: sigurinë e vendit dhe të jetës së qytetarëve.
Liria dhe siguria janë qenësore, dhe ju duhet të jeni garancia për to. Liria është e qytetarit dhe siguria është për qytetarin.
Javën që shkoi ne u ballafaquam me një rast shumë të rëndë. Një vajzë e mitur, e cila do duhej të ishte në bankat shkollore, në klasën e 5-të ose të 6-të, ndodhet në strehimore për shkak të një krimi që ndodhi mbi të nga 5 dhunues. Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por çështje e sigurisë dhe mirëqenies, publike e sociale. Andaj, nga ju pritet e kërkohet të jeni në nivelin më të lartë të detyrës suaj kudo, në çdo rrugë e në çdo cep të vendit tonë. Mbani me përgjegjësi detyrat tuaja, ashtu siç edhe ne si Qeveri mbajmë përgjegjësitë tona ndaj jush dhe ndaj secilit qytetar të vendit tonë. Trasoni rrugë lehtësisht të kalueshme për të gjithë, por edhe për brezat e rinj që do të vendosin të vazhdojnë rrugën tuaj.
Të nderuar të pranishëm,
Për këtë kohë sa bashkëpunojmë, ju keni dëshmuar se jeni të pa kompromis në luftën që i keni shpallur krimit dhe për këtë janë rezultatet tuaja, që njihen jo vetëm në Kosovë, por edhe botërisht. Nuk jeni ndalur, ndonëse nga bandat e ndryshme u janë drejtuar armët e u janë shkrepur plumba. Puna dhe rezultatet tuaja të përditshme do t’i pengojnë krimit dhe atyre që e ushqejnë atë. Përpjekjet për të ju mundur e sprapsur do të jenë të vazhdueshme. Qarqe të caktuara do të përpiqen të ju kthejnë në anën e tyre, por ju angazhohuni që ata të dështojnë.
Në çdo ditë të punës të gjithë ne bashkë i kujtojmë 21 kolegët tuaj që ranë në krye të detyrës, në përpjekje të vendosjes së rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës. Ata nuk u dorëzuan përballë asgjëje dhe ranë duke zbatuar misionin e përbashkët.
Heroi ynë Enver Zymberi u ballafaqua me bandat kriminale serbe. Rënia e tij në mbështetje të sovranitetit tonë shtetëror dhe respektimit të integritetit territorial, e kundër krimit dhe paligjshmërisë, do të mbetet për të gjithë ne si shembull i dashurisë së pakusht për Republikën tonë.
Të dashur pjesëtarë të Policisë së Kosovës,
Jemi të vetëdijshëm për sfidat që keni në detyrën tuaj dhe asnjëra nuk është e patejkalueshme, ndonëse kërkon kohë. Bashkërisht duhet të punojmë për të mbushur zbrazëtirat që janë krijuar ndër vite, për të krijuar një polici model që mund t’u përgjigjet të gjitha situatave. Integriteti moral e integriteti personal janë shtyllat e domosdoshme brenda Policisë së Kosovës, një polici e cila është shembull për profesionalizmin e saj, ndërsa edhe ne do të qëndrojmë përballë përgjegjësive që kemi ndaj juve.
Policia është në të përditshmen e qytetarëve andaj ndryshimin dhe avancimin tuaj duhet ta ndjejnë e përjetojnë edhe ata, sidomos ata.
Në këtë datë, teksa kujtoni rrugëtimin, sfidat e sukseset tuaja, mos harroni misionin dhe objektivat tuaja.
Ju falënderoj sot dhe çdo ditë për punën që bëni. Ju uroj ditën e themelimit dhe qofshi ilustrimi më i mirë që duhet ndjekur e do të ndiqet nga brezat e rinj.
Ju falemnderit.