Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosovës i nevojitet një Epope që e shpall arsimin, ashtu sikurse Epopeja e UÇK-së e cila u kujtua nga 5 marsi dhe vazhdon të kujtohet edhe sot.
Në seancën solemne për Ditën e Mësuesit, Kurti tha se Epopeja e Arsimit do ta ngjallte inteligjencën dhe do ta vendoste vullnetin në racionalitet.
“Të gjitha shtetet e kanë një ditë dhe një datë kur kanë artikuluar një rrymë dhe një frymë, kur e kanë përdorur gjuhën në rendin programatik dhe si çdo kombi edhe ne nuk na duhet asgjë më pak sesa një Epope të Arsimit. Një Epope që e shpallë arsimin, ashtu sikurse Epopeja që e kujtuam dje, pardje e sot, si Epopeja e lavdishme që na e shpalli vullnetin për liri, çlirim e pavarësi, po ashtu kërkohet një Epope që na e ngjallë inteligjencën, vendosjen e vullnetit në racionalitet”, ka thënë ai.
Sipas Kurtit, edhe pse vendi nuk ka pasur asnjëherë një Epope të Arsimit sikurse popujt e kombet e mëdhenj, “kemi Epopenë e Universitetit paralel dhe mbi të gjitha Epopenë e UÇK-së dhe aty nuk jemi prapa popujve të mëdhenj. Epopeja e luftës na mësoi që cilësia nuk kushtëzohet nga sasia”.
“Po e shohim sot popullin e madh rus, popullin e shkrimtarëve të mëdhenj se si qëndron i padukshme pas despotit të carit të tij të ri. Numri i banorëve të një vendi nuk është kurrë përcaktues, përcaktues është roli i mësuesit. Në ndërtimin e shtetit të një populli të çliruar, emancipimi i inteligjencës vjen prej patriotizmit të mësuesit. Profesionalizmi është bashkimi i inteligjencës me atdhedashurinë, me dashurinë për njerëzit. Në kohë pushtimi, kjo dashuri është më e thirrur, në kohë paqeje kjo dashuri është më e shtirur, e pra na nevojitet Epopeja e Arsimit”, ka thënë ai.
Kreu i Qeverisë më tej tha se Kosovës i nevojitet arsim i kualifikuar. Sipas tij, çdo sukses në ekonomi e politikë nëse nuk përcjellët me sukseset në arsim, është sukses i përkohshëm.
“Ne na duhet arsim i kualifikuar. Në jetën e një shteti, disa profesione e kanë përgjegjësin më të lartë. E njërën ndër këto është arsimi, e prandaj ua kemi kushtuar një ditë për t’ua vlerësuar këtë përgjegjësi. Çdo sukses në ekonomi e politikë nëse nuk përcjellët me sukseset në arsim, është sukses i përkohshëm. Reforma jonë duhet të fillojë nga çerdhet e të fillojë edhe me edukimin fillor, të mesëm e të lartë”, ka përfunduar ai.