Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se të dhënat tregojnë që rreth 200 gjykatës kanë shqiptuar vetëm dënime kusht dhe gjobë për rastet e dhunës seksuale, ose kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale.
Në konferencën për media të mbajtur të dielën me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ku folën për rastin e 11-vjeçares së dhunuar nga pesë persona në fund të gushtit në Prishtinë, e cila ishte viktimë e trafikimi në muajin qershor, Kurti tha se në 85 për qind të rasteve të dhunës seksuale, viktimat kanë qenë vajza të mitura.
Ai më tej tha se edhe rreth 140 prokurorë, nga gjithsej 200 sa janë në Kosovë, kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale.
“Në mbi 85 për qind të këtyre rasteve kanë qenë të mitura. 140 prokurorë kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale. Merreni me mend mbi 200 gjykatës, më shumë se gjysma e gjykatësve në Kosovë kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht dhe gjobë, dhe rreth 140 prokurorë nga gjithsej 200 sa janë”, ka thënë Kurti.