Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë mbajtur konferencë për media pas mbledhjes së 5-të të Qeverisë, në të cilën u vendosën masa të reja kundër COVID-19.
Kryeministri Kurti teksa foli lidhur me masat e sotme nga Mbledhja e Qeverisë, tha se duke parë trendin e frikshëm të rritjes së infeksioneve me COVID-19, këto masa janë marrë me qëllim që të minimizohet ekspozimi ndaj COVID-19, të ngadalësohet përhapja e virusit, ashtu që kapacitetet shëndetësore të shëndetit publik të mos përmbyten përtej limiteve të tyre, dhe me qëllim që të ruhet shëndeti mendor dhe fizik i qytetarëve, dhe për aq sa është e mundur të mbahet aktiviteti ekonomik i hapur.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se javën që lamë pas mirëpritëm kontingjentin e parë të vaksinave në Kosovë dhe se nga dita e parë në krye të kësaj ministrie kanë intensifikuar punën me ekipin e Ministrisë së Shëndetësisë për sigurimin sa më të shpejtë dhe në numër sa më të madh të vaksinave për qytetarët tanë.
“Me angazhimin e përbashkët brenda një kohë të shkurtër do të arrijmë të marrim edhe konfirmime të sigurimit edhe të një sasie të konsiderueshme të vaksinave”, veçoi ministri Vitia, teksa bëri të ditur se situata në terren nuk është e mirë, andaj edhe është kërkuar një analizë e situatës epidemiologjike në vend nga ku janë identifikuar disa kategori me potencial të lartë të shpërndarjes së infeksionit, siç janë: shkollat, institucionet publike dhe private, puna në zyre, në vendet e punës së përbashkët, grumbullimi dhe qarkullimi i qytetarëve në vendet publike duke mos i respektuar masat, përfshirë sidomos restorantet, kafenetë dhe qendrat tregtare, mësimi universitar me prezencë fizike, grumbullimet familjare në rastet e vdekjes, të pamet dhe ahengjet e ndryshme, si dhe ardhja e personave nga vendet e jashtme.
Ministri Vitia nënvizoi se jemi në gjendje të rëndë, prandaj edhe masat që duhet t’i ndërmarrin si qeveri dhe si shoqëri duhet të jenë në përputhje me gjendjen e rënduar. Ai shtoi se gjendjen më së shumti e ka rënduar prezenca e varianteve të reja të Covid-19, sidomos variantit të rrezikshëm britanik, që është shumëfish më i rrezikshëm, më agresiv dhe i prek moshat e reja, çka e bën përhapjen e tij tejet të shpejtë dhe të rrezikshme.