Kryeministri Albin Kurti i është kundërpërgjigjur Avdullah Hotit të LDK-së se marrëveshja e Washingtonit ka thyer izolimin e Kosovës në fushën ndërkombëtare.
Kurti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ia ka përkujtuar ish-kryeministrit Hoti se me dokumentin e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë ishte zotuar se nuk do të ketë lobim për njohje dhe as anëtarësim në organizata ndërkombëtare, e cila është në kundërshtim me kushtetutën e vendit.
“Do të ishte e pamundur për Serbinë që kreun e saj shtetëror, pjesëmarrësin e luftërave në ish-Jugosllavi, ministrin e Informatave të Millosheviqit ta mirëpresë pa ia shtruar paraprakisht qilimin e kuq pikërisht dikush nga vendi i viktimave dhe askush më pak se sa kryeministri i atëhershëm. Pra, ky ishte efekti i menjëhershëm i atij nënshkrimi para se të ndodhë”, tha Kurti, njofton Telegrafi.
Kurti foli edhe për fizibilitetin e Ujmanit, që ka dalë nga marrëveshja e 4 shtatorit, duke thënë se do t’i përdorin të gjitha argumentet për këtë pasuri natyrore të Kosovës, ndërkohë që i është kundërpërgjigjur Avdullah Hotit se marrëveshja e Uashingtonit ka thyer izolimin e Kosovës në fushën ndërkombëtare.
“Liqeni i Ujmanit është liqen artificial, liqen nga Kosova, i Kosovës. Ne do t’i përdorim të gjitha argumentet në këtë studim të fizibilitetit të publikuar së fundmi, por jo vetëm. Edhe në studimet e tjera për ta mbrojtur këtë pasuri të Kosovës nga çfarë do pretendimi. Pra, qëndrimi ynë është i qartë, sa më shumë argumente që të gjejmë aq më mirë do të jetë dhe sa më pak sulme që do të ketë për këtë pasuri të Kosovës, sigurisht që aq më mirë do të jetë. Marrëveshja e Uashingtonit thuhet se na e paska thyer izolimin ndërkombëtar, a vetë në atë tekst kërkohet në pikën e parafundit se do të kemi moratorium 1-vjeçar për mos anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Në fakt është nënshkrim i një qëndrimi antikushtetues. Unë nuk besoj që duhet të kemi liderë institucionalë që do të lavdërohen me shkelje të Kushtetutës me paramendim”, tha Kurti.
Debati parlamentar për marrëveshjen e Uashingtonit është duke vazhduar në Kuvendin e Kosovës.