Kryeministri Albin Kurti, së bashku me presidenten Vjosa Osmani është takuar të enjten me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Kurti ka thënë se me Macronin biseduan për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, dialogun për marrëveshje Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit.
“Potencuam se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”.
Tutje theksoi se shprehu Macronit qëndrimin se Republika e Kosovës është partnere e besueshme e Republikës së Francës dhe aleatëve të tjerë euroatlantik.
“Falënderuam Presidentin Macron për angazhimin e Francës, në bashkëpunim me Gjermaninë, për dinamizimin e procesit të dialogut dhe ritheksuam përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës në këtë proces, të bazuar në ruajtjen e rendit kushtetues, sovranitetit, integritetit territorial e marrëdhënieve të mira fqinjësore”, ka shkruar tutje Kurti.Reklama
Osmani dhe Kurti po marrin pjesë në Forumin e Paqes në Paris.
Atje janë edhe homologët e tyre serb, Ana Brnabiq dhe Aleksandar Vuçiq.
Më herët gjatë ditës, Macron ka takuar edhe Vuçiqin.
Zyrtarë nga Kosova dhe Serbia kanë udhëtuar drejt Francës, në mes të krizës në veri të Kosovës, pasi pjesëtarët e komunitetit serb dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
Për këtë temë, thuhet në njoftim, është folur edhe në takim me Macronin.
Me 11 nëntor, me Kurtin dhe Vuçiqin në Paris, në takime të ndara, pritet të takohet edhe shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.