Në debatin në Kuvendin e Kosovës ku po diskutohet për Ligjin e Pagave, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se ligji i cili ishte hartuar nga qeverisja e Ramush Haradinajt ishte elektoral.
Kurti ka kritikuar këtë ligj duke thënë se me rritjen e pagave duhet të rritet edhe produktiviteti.
“Një ligj i dobët që më shumë se dobi i bëri dëm shtetit. Rritën pagat pa pasur rritje ekonomike, për pazare politike. Më shumë se 34 mijë zyrtarë të shtetit nuk e gjenin veten në këtë ligj dhe ata që e gjenin nuk ishin të kënaqur. Ligji për paga, përveç që ishte ligj elektoral, por kishte mangësi të mëdha. Sot kur si Qeveri, jemi duke e analizuar në detaje”, ka thënë ai.
Kurti po ashtu ka thënë rritja ekonomike duhet të përkthehet në punësim, jo vetëm në paga.
“Gjendja e trashëguar është edhe më kaotike se sa që duket. Faturat mujore për disa paga tejkalojnë të pranueshmen krahasuar me disa tjera që nuk arrijnë t’i mbulojnë shpenzimet bazë. Ka kërkesa legjitime të rritjes së pagave, por rritja e pagave rritet me rritjen e produktivitetit. Rritja ekonomike duhet të përkthehet në punësim, jo vetëm në paga”, ka vazhduar Kurti.
Kurti ka folur edhe për sindikatat, duke thënë se ato duhet të forcohen dhe t’i mbrojnë interesat e sektorit publik, por edhe t’i mbrojnë qytetarët që paguajnë për pagat e sektorit publik.