Kurti kujton sulmin e 11 shtatorit: Tentuan ta dobësojnë SHBA-në, por nuk ia dolën


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 11 shtatorin e vitit 2001, kur në New York u sulmuan Kullat Binjake, për çka ka thënë se do të kujtohen gjithmonë rreth tre mijë personat nga më shumë se 90 shtete, që u vranë në këtë sulm.

Kurti përmes një postimi në Facebook, ka thënë se me anë të këtij sulmi terrorist është tentuar dobësimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por që një gjë e tillë nuk ka mundur të ndodhë.

“Pavarësisht se sa vite kalojnë, mjafton të përmendim datën 11 shtator dhe ne kthehemi menjëherë në atë ditë të errët. Sot kujtojmë për të mos i harruar kurrë gati 3 mijë jetë të bukura, nga më shumë se 90 shtete, që u morën mizorisht. Ata që sulmuan shpresuan që përmes frikës dhe terrorit ta dobësonin, por ShBA-të qëndruan këmbëngulëse dhe dëshmuan se asnjë akt terrori nuk ndryshon karakterin e kombit amerikan të themeluar mbi besimin se të gjithë janë të krijuar të lirë dhe të barabartë”, ka shkruar Kurti.

Ai shtoi se në këtë ditë, Kosova bashkëndien me SHBA-në dhe bashkë do të sigurojnë që terrorizmi “nuk do të mund të triumfojë asnjëherë”.