Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin me kryetarët e komunave që po mbahet të martën në Prishtinë, ka thënë se komunat bashkërisht me Qeverinë, përmes ekzekutimit të mirëfilltë të buxhetit, duhet ta lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe të zhvillojnë ekonominë e komunave dhe të vendit.
Ai ka theksuar se për këtë vit kanë rritur për 100 milionë euro buxhetin për nivelin komunal, por ka shtuar se me rritjen e buxhetit duhet të rritet edhe cilësia e shërbimeve për qytetarët.
“Buxheti për vitin 2023 do të jetë mbi 3.2 miliardë euro dhe është buxheti më i lartë ndonjëherë një Kosovën e pavarur. Për nivelin komunal ka një rritje të buxhetit për gati 100 milionë euro krahasuar me vitin paraprak. Kjo duhet të reflektojë edhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve komunale karshi qytetarëve tanë, mirëqenies së tyre, edukimit, shëndetësisë, sportit, rinisë e kulturës dhe zhvillimit socio-ekonomik”, është shprehur Kurti.
Ai ka thënë se duhet fokusuar që shpenzimi i këtij buxheti të jetë i hapur, transparent dhe llogaridhënës.
Kurti ka deklaruar se për vitin 2023 i kanë shtuar edhe rreth 240 pozita të reja për inspektoratet, në mënyrë që, siç ka thënë ai, të mbrohen më shumë të drejtat e punëtorëve, të sigurohet cilësia e shërbimeve, të mbrohen të drejtat e konsumatorëve dhe të bëhet mbledhja e tatimeve që mundëson ofrimin më të mirë të shërbimeve publike.