Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka reaguar pasi që kryeministri Albin Kurti, në seancën e së enjtes ka thënë se në Prokurori ka një disponim negativ karshi qeverisë së tij dhe se kjo sipas tij, lidhet më së shumti me figurën e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
“Targetimi i prokurorëve dhe gjykatësve nga pushteti është veprim i shëmtuar. Sjellje e papranueshme dhe e dëmshme. Kushtetuta e Kosovës nuk e duron një sjellje të tillë. Veprim kundër vlerave që i kërkon sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë. Dobët, shumë shumë dobët”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.
Edhe analisti Imer Mushkolaj ka kritikuar gjuhën e kryeministrit Albin Kurti, ndaj organeve të drejtësisë.
Ai ka thënë se kjo është qasje skandaloze nga ana e tij dhe e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Kryeministri po e sulmon prokurorinë pse po e heton drejtorin e KEK-ut të dyshuar për korrupsion. Qasje skandaloze e tij dhe e VV-së”, ka shkruar Mushkolaj në Facebook.