Kurti: Kosova është një halë të cilën Putini e konsideron pengesë për projektin e vet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Republika e Kosovës është një halë të cilën presidenti i Serbisë, Vladimir Putin, e sheh si pengesë për projektin e vet.

Kurti këtë deklaratë e ka bërë në një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve AFP, teksa ka thënë se ka përshtypjen se Putini dëshiron që të ulet në tryezë të negociatave me presidentin amerikan, Joe Biden, dhe jo me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Përshtypja ime është që Putini dëshiron që të ulet në tryezë të negociatave me presidentin amerikan Biden e jo me presidentin ukrainas Zelensky. Synimi i tij është një konferencë e re e Jaltës, Jalta 2, me ç’rast do të ndaheshin sferat e interesit dhe në këtë mënyrë Federata ruse do të synonte të kompensohej për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Prandaj, meqë ata do të synojnë edhe konflikte të reja, Ballkani Perëndimor në përgjithësi, e posaçërisht Kosova janë të rrezikuar. Në të kaluarën presidenti rus na përmendte një herë në muaj, tash na përmend nga disa herë në javë dhe duket qartazi se Republika e Kosovës është një halë të cilën ai e konsideron që e pengon në projektin e vet. Le të mos harrojmë që është ky president ai i cili edhe i aneksoi Osetinë Jugore dhe Abkhazinë në Gjeorgji, pikërisht në vitin kur Kosova e shpalli pavarësinë, ndërkaq një javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Serbisë edhe Federatës Ruse për dhënien e shumicës së aksioneve të industrisë së naftës në Serbi te Gazprom-i dhe po ashtu të bazenit të gazit në Banatski Dvor në Vojvodinë, sërish tek Gazprom-i”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, NATO-ja duhet të mendojë se si t’i përgjigjet Rusisë pas pushtimit dhe sulmeve të vazhdueshme mbi qytetet e Ukrainës.

Kurti ka thënë se presidenti despotik rus po e kërkon një konferencë të re të Jaltës dhe se për këtë është e nevojshme lufta dhe zgjerimi i konfliktit edhe jashtë Ukrainës.

Metodat e vjetra të zgjerimit të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian mund të kenë kosto shumë të lartë pas agresionit ushtarak dhe invazionit rus në Ukrainë, i cili unë besoj që synon të mos ngelet vetëm në Ukrainë, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve AFP.

Kurti ka thënë se Brukseli duhet ta rimendojë një mënyrë të re të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

“Është tejet e domosdoshme që Brukseli si kryeqytet i dyfishtë, edhe i NATO-s edhe i Bashkimit Evropian ta rimendojë një mënyrë të re për integrimin e brendshëm dhe për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor. Ballkani Perëndimor dhe Kosova në zemër të këtij Ballkani Perëndimor është pjesë e kontinentit evropian. Me rastin e integrimit në BE dhe në NATO, kufiri i jashtëm i këtyre dy organizmave më të rëndësishëm të paqes që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, kufiri i jashtëm zvogëlohet për rreth 3 mijë kilometra, që do të thotë edhe për sigurinë është shumë mirë. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ende të paintegruara në Bashkimin Evropian për nga popullsia janë përafërsisht sa Holanda, e për nga bruto produkti vendor i kombinuar janë përafërsisht sa Sllovakia. Rrjedhimisht nuk është barrë e madhe për Bashkimin Evropian integrimi i përshpejtuar i rajonit tonë”, ka thënë Kurti për AFP-në.