Kryeministri Kurti ka shkruar në Facebook se “Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar me kapacitetet e saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave që të ndihmojë në përballimin dhe tejkalimin e pasojave të vërshimeve”.
Ai gjithashtu i shprehu në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin e tij personal, ngushëllimet më të sinqerta.
Postimi i plotë:
Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të jetëve të dy qytetarëve tanë, Dion Ademaj dhe Mirsada Ademaj, nga vërshimet e mbrëmshme në Pejë.
Kjo humbje e madhe për familjet Ademaj dhe Hoxhiq është humbje e madhe për vendin tonë. Në këto ditë të rënda, dhembjen e ndajmë bashkë me familjarët dhe miqtë e tyre.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Të lënduarve u uroj shërim sa më të shpejtë.
Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar me kapacitetet e saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave që të ndihmojë në përballimin dhe tejkalimin e pasojave të vërshimeve. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, janë në komunikim me Komunën e Pejës për të koordinuar veprimet në ofrim të mbështetjes së nevojshme.