Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se bordet e emëruara dje në mbledhje të qeverisë janë profesionale, duke mos komentuar faktin se aty janë emëruar anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas tij, me anë të këtyre emërimeve partiake po synohet që të bëhet ç’kapja e plotë nga shpërdorimi dhe lufta e krimit e korrupsionit brenda bordeve të ndërmarrjeve publike.
Kreu i Qeverisë në detyrë, përmes një shkrimi të bërë në Facebook ka folur edhe për vendimet tjera që janë marrë në mbledhjen që ka mbajtur dje me ministrat në detyrë.
Sa i përket vendimi për përjashtim nga fushëveprimi i ligjit për Prokurim Publik të Kosovës për shërbimet telekomunikuese, Kurti nuk e ka komentuar faktin se AKK-ja ka gjetur se bie ndesh me Kushtetutën.
“Është miratuar edhe Vendimi për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, për shërbimet telekomunikuese që ofron “Telekomi i Kosovës Sh.A.”, si shërbime me rëndësi të veçantë shtetërore”, ka shkruar ai.