Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që ta vëzhgojnë procesin e regjistrimit të popullsisë në Luginën e Preshevës.
Ai përmendi deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se shifrat e paraqitura ende pa përfunduar procesi, janë të fryra nga shqiptarët.
“Sot, kur po përfundon një proces me interes të veçantë edhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës, informacionet që vijnë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, janë se përkundër pengesave të shfaqura gjatë procesit të regjistrimit, shqiptarët janë aktivizuar në maksimum për një muaj rresht, që të regjistrohen të gjithë, e edhe ata që janë me banim të përkohshëm në Kosovë e diasporë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Sipas tij, deklaratat e Vuçiqit dëshmojnë pse procesi i regjistrimit të popullsisë e pasurive për shqiptarët ka rëndësi historike e kombëtare.
Shqiptarët në Luginë, kishin bojkotuar regjistrimin e kaluar. Ndërkohë Serbia përmes nismave legjilslative ua ka pasivizuar adresat shqiptarëve, në tentim për t’i larguar nga këto troje.