Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me të dërguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, me të cilin tha se ka diskutuar për zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit në Procesin e Berlinit, ndër to edhe për lëvizjen me letërnjoftime mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinë.
Kryeministria ka njoftuar nëpërmjet komunikatës se Kurti e Sarrazin kanë diskutuar edhe për bashkëpunimin rajonal dhe pritjet nga Samiti i radhës që do të mbahet në Berlin në 10-vjetorin e tij.
“Progresi në zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit në Procesin e Berlinit, bashkëpunimi rajonal dhe pritjet nga samiti i radhës që në 10-vjetorin e tij do të mbahet në Berlin, ishin temë e diskutimit. Kryeministri kujtoi rëndësinë që para samitit të radhës të fillojë zbatimi i marrëveshjes për udhëtim me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, që lehtëson lëvizjen e lirë të qytetarëve. Kryeministri theksoi se më 16 maj në Kotor të Malit të Zi, Kosova kërkoi që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave (AMLA) të Bashkimit Evropian për të rritur integritetin financiar dhe për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër krimit financiar, kërkesë kjo që u bë pjesë e deklaratës së përbashkët të lëshuar në Kotor”, thuhet në njoftim.
Kurti është shprehur mirënjohës për rolin e të dërguarit gjerman në forcimin e raporteve mes Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe në avancimin e bashkëpunimit rajonal.
“Procesi i Berlinit është platforma ku angazhohemi për bashkëpunim rajonal dhe integrim ekonomik. Tregu i Përbashkët Rajonal i dalë nga Procesi i Berlinit së bashku me Planin e Rritjes janë mundësi për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor dhe shpejtimin e reformave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Republika e Kosovës është proaktive dhe kontribuese e këtij procesi të rëndësishëm”, thuhet tutje në komunikatë.
Me të dërguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor është takuar të martën edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila i ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.