Kurti kërkon plotësimin e tri kërkesave që të ketë takim trilateral me Vuçiqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se në Bruksel sot kanë pasur disa takime bilaterale dhe nuk ka pasur takim trilateral.

Ai tha se Kosova ka shprehur qëndrimin e saj të qartë, të vendosur për zbatimin e marrëveshjes bazike, njofton Klankosova.tv.

“Kemi pasur disa takime bilaterale sot në Bruksel, nuk kemi pasur takim trilateral. Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur qëndrimin e saj të qartë, të vendosur për zbatimin e marrëveshjes bazike e cila është dakorduar me 27 shkurt të vitit të kaluar dhe më pastaj është pasuar edhe nga aneksi i zbatimit që është pjesë e integrale nga 18 marsi i vitit të kaluar”, u shpreh Kurti.

Kryeministri tha se ka pasur tri kërkesa, nënshkrimi i marrëveshjes bazike, tërheqja e letrës së Bërnabiq, si dhe dorëzimi i Radojqitit autoriteteve të Kosovës.

“Hera e fundit kur kemi pasur takim trilateral ka qenë me 14 shtator, 10 para sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe që prej atëherë nuk kemi pasur takim trilateral. Ka ndodhur shumëçka prej atëherë, ka ndodhur Banjska, por gjithashtu ka ndodhur edhe letra e tërheqjes e marrëveshjes bazike”.

“Unë kam kërkuar garancionin për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilët mundësojnë zbatimin e marrëveshjes,nuk mund të ketë zbatim të marrëveshjes pa mirëbesim dhe pa vullnet të mirë dhe këto vijnë nëpërmjet tri garancioneve të cilat i kam theksuar, e para është nënshkrimi i marrëveshjes bazike, garancia e dytë është tërheqja e letrës së Bërnabiq sepse në atë letër ajo thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja në OKB dhe integriteti territorial, ndërkaq garancia e tretë që kam kërkuar është dorëzimi i kryekriminelit, Milan Radojiçiqit dhe i bandës së tij terroriste, autoriteteve të Kosovës”.

“Ne nuk mund ta ngjallim rreshterin e vrarë policor, Afrim Bunjakun, mirëpo Serbia duhet të na dorëzoi Milan Radojiçiqin dhe kjo është arsyeja pse ne sot kishim takime bilaterale, pa atë trilateral”, tha ai.

Kurti gjithashtu foli edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, duke thënë se është çështje e trashëguar nga qeveritë e kaluara.

“Marrëveshja bazike e ka në qendër njohjen defacto së pari, çështja e asociacionit është një çështje e trashëguar nga qeveritë e kaluara”, u shpreh tutje kryeministri Kurti.