Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka mbajtur mbledhjen me qendrat e partisë të cilën e drejton. Ai duke folur për zhvillimet e fundit politike, ka potencuar se Vetëvendosja insiston në mbajtjen e zgjedhjeve.
Kurti ka thënë se e diela e 14 qershorit do të ishte ditë ideale për zgjedhje, duke shtuar se tubimin e madh përmbyllës do ta mbanin më 12 qershor, duke festuar kështu edhe 15 vjetorin e themelimit të Vetëvendosjes.
“Pas LVV, tash edhe PDK-ja u shpreh për zgjedhje të reja në Kosovë. Dihet se Qeverinë e re të synuar nga Presidenti nuk e përkrah as Kryeparlamentarja si dhe disa deputetë të tjerë. Ky është një argument shtesë që veçse në zgjedhje duhet të shkojmë. Ndërkohë, masat ndaj pandemisë COVID-19 po zbuten ca. Neve si LVV do të na konvenonte e diela e 14 qershorit 2020 për zgjedhje, sepse tubimin e madh përmbyllës do ta mbanim të premten me 12 qershor, pra duke e festuar njëkohësisht 15 vjetorin e themelimit të VETËVENDOSJE!-s”, ka thënë Kurti.
Ai gjatë mbledhjes ka folur edhe mbi prioritetin e punës së tij gjatë koronavirusit.
“Masat e reja të ndërmarra kanë pasur efektin e tyre çka ka ndikuar në uljen e trendit të të infektuarve e rritjen e numrit të të shëruarve. Me masat e qeverisë e këshillat e profesionistëve shëndetësor, por edhe me më të rëndësishmen displinën e bashkëpunimin qytetar shumë shpejt do ta mposhtim virusin”, theksoi lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti.