Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë mbajtur konferencë të përbashkët për media lidhur masat që do të ndërmerren pas datës 18 maj, kur edhe kalohet në fazën e dytë, varësisht nga gjendja epidemiologjike.
Me këtë rast, kryeministri në detyrë Kurti tha se lëvizja e qytetarëve e ndihmon lëvizjen e virusit, deri këtu asgjë nuk ka ndryshuar. “Fatkeqësisht, në mungesë të një vaksine ne duhet që vetë të kujdesemi maksimalisht që të luftojmë virusin corona, duke mbajtur maska dhe duke mbajtur distancën fizike deri në dy metra nga njëri-tjetri”, theksoi kryeministri në detyrë Kurti.
Ai tha se faza e dytë nënkupton hapje edhe më të madhe të ekonomisë dhe rrjedhimisht edhe lëvizje të shtuar të qytetarëve, e që nënkupton edhe mundësi më të madhe të infektimit. Prandaj edhe duhet të shtojmë dyfish kujdesin.
Nga e hëna do të rihapen këto biznese: floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, merre me vete, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban – me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike – me lista të stafit esencial, si dhe hapja e galerive dhe muzeve.
Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:
Të nderuar gazetarë,
Të dashur qytetarë,
Sot jam këtu së bashku me Ministrin e Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia sepse, siç e dini, nga e hëna, pra me 18 maj kemi paralajmëruar se do të kalojmë në fazën e dytë, varësisht nga gjendja epidemiologjike.
Këto javët e fundit, kemi parë se nga masat që kemi marrë, punës së mirë të punonjësve shëndetësorë dhe policisë, numrat e infektimeve kanë rënë ndjeshëm, por gjithashtu kemi parë se si në javën e fundit kemi sërish një ngritje të infektimeve. Dje kishim 18 të infektuar e 19 të shëruar, pardje kishim 8 të infektuar dhe asnjë të shëruar, e një ditë më parë kishim 24 të infektuar e vetëm 14 të shëruar. Me gjithë këtë ngritje të përgjithshme, rekomandimi zyrtar i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në bazë të gjendjes epidemiologjike, është se hapja e fazës së dytë mund të vazhdojë më 18 maj, ashtu siç është planifikuar.
Tashmë kur do të marrim vendim për kalimin nga faza e parë në të dytën, duhet të përgatitemi që së bashku të punojmë në uljen e infektimeve derisa heqim kufizimet.
Ky është një test i madh për gjithë shoqërinë, por edhe një sfidë njëkohësisht. Pra si mund të heqim kufizimet e lëvizjes, të hapim ekonominë tonë, por edhe të luftojmë virusin.
Shtetet në rajon, por edhe në Bashkimin Evropian ku është edhe mërgata jonë, tashmë po hyjnë në një fazë të hapjes që bartë me vete edhe rrezikun e përhapjes së virusit COVID-19.
Lëvizja e qytetarëve e ndihmon lëvizjen e virusit, deri këtu asgjë nuk ka ndryshuar. Fatkeqësisht, në mungesë të një vaksine ne duhet që vetë të kujdesemi maksimalisht që të luftojmë virusin corona, duke mbajtur maska dhe duke mbajtur distancën fizike deri në dy metra nga njëri-tjetri.
Faza e dytë nënkupton hapje edhe më të madhe të ekonomisë dhe rrjedhimisht edhe lëvizje të shtuar të qytetarëve, e që nënkupton edhe mundësi më të madhe të infektimit. Prandaj edhe duhet të shtojmë dyfish kujdesin.
Nga e hëna do të rihapen këto biznese:
1.Floktarët dhe sallonet e ondulimit,
2.Stomatologët dhe fizioterapeutët,
3.Tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër,
4.Gastronomia, merre me vete,
5.Transporti hekurudhor,
6.Transporti urban dhe ndër-urban – me leje të veçanta,
7.Qendrat e thirrjeve telefonike – me lista të stafit esencial, si dhe
8. Hapja e galerive dhe muzeve
Mirëpo, për shkak se rreziku ende nuk ka kaluar, do të vazhdojmë edhe në fazën e dytë me një orar të kufizuar të lëvizjes, por me një orë shtesë për qytetarët. Çdo qytetari do t’i lejohet dalja dy herë në ditë nga dy orë, sipas shifrës së parafundit në numrin personal të kartës së identitetit. Orari do të publikohet paraprakisht nga Ministria e Shëndetësisë.
Qytetarë të dashur,
Sot të gjithë po flasin se si ne me sukses e kemi menaxhuar këtë pandemi krahasuar me shtetet tjera. Ky sukses nuk ka ardhur nga fjalimet dhe nga kritikat, por nga vizioni dhe guximi për të marrë vendime të vështira, por gjithnjë të bazuar në shkencë dhe analizë të detajuar mes qeverisë dhe institucioneve shëndetësore.
Pra, ky sukses nuk erdhi vetvetiu.
Nga fillimi i marsit ne kemi vendosur kufizim të lëvizjes, kontrolla të shtuara dhe rregulla për distancimin fizik më shpejt se të tjerët – dhe tani jemi shembull në tërë kontinentin. Vendi jonë është bërë një rrëfim suksesi për menaxhimin inteligjent të krizës së COVID-19. Por virusi nuk është mundur dhe as nuk është zhdukur, prandaj edhe nuk mundemi dhe nuk bën të relaksohemi.
Në fakt tashmë kur po kalojmë në një fazë të re, mbasi rihapjet graduale të bizneseve janë të domosdoshme, duhet që secili nga ne të sillet me tjetrin sikur ai të jetë i infektuar. Vetëm kështu, me këtë mendim në mendje mund të mbajmë distancën e domosdoshme dhe kujdesin e nevojshëm që të ruajmë shëndetin tonë.
Rritja eksponenciale e numrit të infeksioneve në tërë Evropën në fillim të marsit bëri të qartë se çfarë potenciali të lartë infeksioni ka ky virus. Ne jemi në luftë kundër një kundërshtari që mund ta shumëfishojë dëmin e tij në mënyrë eksponenciale. Nga të gjitha rastet që janë karantinuar, 13 persona kanë dalë pozitiv, karantina e ka pasur efektin e parandalimit të përhapjes së sëmundjes dhe krijimin e zonave të reja endemike në rrethin e Prizrenit, Obiliqit, Prishtinës, Gjilanit, Lipjanit, Klinës, Suharekës, Ferizajt dhe Mitrovicës. Këta qytetarë kanë arritur në Kosovë nga të gjitha vatrat endemike në Evropë.
Virusi shpërndahet shpejtë dhe ai jeton duke u shpërndarë, prandaj edhe qëllimi i tij është që të infektojë sa më shumë njerëz në mënyrë që të jetojë sa më gjatë për vete. Në luftë, pala me strategji më të mirë, me ushtarë dhe mjete më të mira, fiton. Virusi është palë e fuqishme dhe superfuqia e tij qëndron në padukshmërinë e tij. Ne nuk e shohim, ai nuk duket, por ai na vret. Pra, si të luftojmë ndaj një armiku të padukshëm?
Përgjigja më e mirë është të shmangim kontaktin me të.
Ne jemi popull i qëndrueshëm dhe luftarak. Kemi përballuar sfida shumë më të mëdha se kjo çdoherë duke qëndruar të bashkuar, andaj ju premtoj që së bashku do të fitojmë.
E kjo së bashku do të thotë që na bashkojnë rregullat, na bashkon ligji, na bashkojnë masat, na bashkojnë rekomandimet, në njërën ana të Ministrisë së Shëndetësisë e në anën tjetër të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Prandaj, derisa po kalojmë në një fazë të re është e rëndësishme të përshtatemi me normalitetin e ri. Ky normalitet është ruajtja e distancës fizike, mbajtja e higjienës, mbajtja e maskave, e shmangia e vizitave familjare e shoqërore.
Çdo lëvizje është e arsyeshme vetëm nëse është e domosdoshme.
Nga e hëna, ne do të vendosim një plan mobiliteti ku do të ketë më shumë policë, më shumë vullnetarë, më shumë punonjës shëndetësorë dhe më shumë inspektorë, të cilët do të kujdesen që të ruhet distanca fizike, të bëhen më shumë teste dhe të respektohen udhëzimet e institucioneve shëndetësore.
Por, që ky plan të funksionojë, që kjo fazë e re të jetë e suksesshme kërkohet bashkëpunimi juaj, i të gjithë juve, i secilit prej jush.
Në ditët në vijim, deri më 25 maj, ne do të përcjellim edhe me më shumë kujdes lakoren dhe numrin e të infektuarve.
Nëse nuk jemi të kujdesshëm dhe kemi një rritje të menjëhershme, atëherë duhet të kthehemi prapa dhe kjo do të ishte vërtetë zhgënjyese pas këtij suksesi që kemi bërë.
Shumë më e rëndë do të ishte rikthimi edhe se sa vetë ardhja e pandemisë COVID-19.
Unë ju falënderoj për vëmendjen.