Kurti këmbëngul të ketë nënshkrim të marrëveshjes: Serbia shkeli tetë nga 11 nenet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka këmbëngulur që të ketë nënshkrim të Marrëveshjes Bazike me Serbinë, të arritur më 27 shkurt në Bruksel, duke thënë se Serbia ka shkelur tetë nga 11 nenet e asaj marrëveshje.

Në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin irlandez të enjten, Kurti ka thënë se po këmbëngul në nënshkrim pasi po do siguri ligjore që marrëveshja të zbatohet dhe të mos shkelet.

Shefi i Qeverisë ka theksuar se marrëdhëniet normale me Serbinë janë të rëndësishme për paqen, sigurinë dhe integrimin evropian.

“Dëshirojmë marrëdhënie normale me fqinjin tonë verior dhe marrëdhëniet normale janë marrëdhëniet evropiane të fqinjësisë së mirë. Është e rëndësishme për paqen, sigurinë dhe integrimin evropian që paraqet edhe fatin tonë, por edhe synimin tonë. Më 27 shkurt, jemi dakorduar për Marrëveshjen Bazike dhe më 18 mars, për Aneksin e Zbatimit. Problemi është që nga 11 nenet e Marrëveshjes Bazike, së paku tetë janë shkelur nga Serbia. Ne kërkojmë siguri ligjore jo vetëm për zbatim, por edhe për mos ta shkelur. Kjo është arsyeja pse kemi kërkuar nënshkrim. Normalizimi duhet të jetë normal, andaj insistojmë të ketë nënshkrim. I bëj thirrje Bashkimit Evropian që gjithmonë të reagojë, edhe në shkeljet e vogla që mund të bëhen, e fatkeqësisht ato janë të shpeshta e jo të vogla”, ka thënë Kurti.