Kurti: Kam pasur synim drejtësinë dhe punësimin, jo rritjen e pagave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se greva në arsim nuk mund të trajtohet si problem specifik.

“Nuk mund të matem për sukses qeveritar, nëse vlerësohem se sa i plotësoj kërkesat e atyre që janë në opozitë”.

Sipas Kurtit, pakoja për përballje me inflacionin është edhe si rezultat i trysnisë së BSPK-së me greva.

“Më 1 shtator kemi takuar kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykollin, dhe ia kemi ofruar triumfin ta publikojmë bashkë pakon për inflacion. Kam dashur që ata të bëhen pjesë e fitores. Është edhe rezultat i trysnisë së tyre pakoja që po e bëjmë. U ka pëlqyer, por nuk kanë pranuar pasi kanë dalë nga takimi e nuk e di me kë janë konsultuar. U ka pëlqyer ideja që po sjellim pako për përballje për inflacion. BASKK-ja do ta kishte triumfin më 2 shtator e të mos detyrohesha vetëm unë me ministrin ta prezantonim pakon më 3 shtator”, ka thënë Kurti.

Po ashtu ai edhe arsyetoi ndërhyrjen e ministrit të financave, Hekuran Murati në fjalimin e Haradinajt.

“Ndërhyrja është dukuri në kuvend, jo përjashtim, e pashë që ministri i financave e ndërhyjti haradinajn, por nuk e fyejti”.

Kurti iu ka përgjigjur Haradinajt që tha se nuk ka pasur rritje të pagave.

“Unë kam ardhur për punësim dhe drejtësi, jo për rritje të pagave”, gjersa ka shtuar se kjo do të bëhet me Ligjin e Pagave.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se mësimi është dashur të fillojë më 1 shtator, e jo të bëhen diskutimet kur greva ka qenë e paralajmëruar që prej prillit.

“Erdhi dita keni thënë, por kryeministër dita shkoi, erdhi mbrëmja e ju ende asgjë nuk keni bërë”, i ka thënë Krasniqi-Kurtit.