Kryeministri i vendit, Albin Kurti është deklaruar sot në Kuvendin e Kosovës duke thënë se sot jemi në një ditë të rëndësishme ku do të bëhet konstituimi i Komisioneve Parlamentare në legjislaturën e tetë të dalur nga zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kurti deklaroi se janë duke bërë skanimin e gjendjes nga e kaluara nëpër ministri dhe se pas kësaj do të dalin me një plan-program qeverisës.
“Ne nëpër ministritë e linjave jemi duke e skanuar gjendjen që kemi gjetur dhe në përputhej me këtë regjistrim të trashëgimisë që kemi pasur në kuptimin institucional, politik e administrativ do të përpilojmë edhe programin qeverisës dhe planin e punës, duke pas për prioritet zotimet tona të shpalosur në fushatë.Pra rendi edhe logjik edhe kronologjik i gjërave do që fillimisht të bëjmë një skanim të tillë dhe gjithashtu edhe ta bëjmë zgjedhje ne presidentes, nga Kuvendi i Kosovës meqenëse e dimë se ky është një vit ku e kemi edhe Qeverinë e re, por e dhe Presidenten e re”, tha Kurti, shkruan lajmi.net.
Kurti vazhdoi të deklarojë se Kosova do të ketë presidente, duke aluduar kështu në kandidaten për këtë post, Vjosa Osmani.
“Konsiderojmë se është e udhës që të kemi zgjedhjen e presidentes dhe më pastaj edhe programin qeverisës. Po të ishte një vit tjetër s’do të kishte nevojë kësisoj, por tash jemi të bindur se kjo është rruga më e mirë dhe më e duhur përpara. Në anën tjetër në zgjedhjet e vitit 2019 certifikimi i rezultate vonoi 53 ditë, këtë herë 27 ditë. Përderisa në herën e kaluar kemi pasur bisedime katër mujore me koalicionin katër mujore, e nganjëherë në të kaluarën deri në gjashtë muaj, kësaj radhë 9 ditë pas certifikimit kemi votuar Qeverinë e Kosovës, si hap i dytë pas zgjedhjes së kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit”, shtoi ai.