Kurti i shkruan letër kryeministrit të Kroacisë: Kosova do ta mbajë gjithmonë zemrën dhe derën hapur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër falënderimi homologut kroat, Andrej Plenkoviq, për ndihmën e dhënë ndaj të aksidentuarve pas aksdientit tragjik në Kroaci.

Kështu thuhet në njoftimin e kryeministrisë të publikuar në ueb faqen zyrtare.

“Angazhimi Juaj vetëmohues dhe i institucioneve të shtetit Tuaj për t’ua ofruar gjithë kujdesin e nevojshëm bashkatdhetarëve tanë, ka prekur thellë zemrat tona. Populli dhe Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do ta harrojë kurrë këtë akt humanizmi dhe solidariteti me tragjedinë tonë. Me konsideratën më të lartë, ju sigurojmë që Republika e Kosovës do të mbajë gjithmonë zemrën dhe derën hapur për miqtë si ju”.

Falënderimi i plotë i Kurtit:

Shumë i nderuari Kryeministër Plenković,
Në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës, dhe në emrin tim personal, pranoni falënderimet më të përzemërta për ndihmën që na e ofruat në një situatë të rëndë për vendin tonë.

Reagimi Juaj i shpejtë pas aksidentit tragjik në Slavonski Brod, ku humbën jetën dhjetë bashkatdhetarë tanë, trajtimi mjekësor i të lënduarve dhe strehimi i udhëtarëve të tjerë, shpërfaqi vlerat Tuaja të larta dhe shpirtin bujar të popullit kroat.

Angazhimi Juaj vetëmohues dhe i institucioneve të shtetit Tuaj për t’ua ofruar gjithë kujdesin e nevojshëm bashkatdhetarëve tanë, ka prekur thellë zemrat tona.

Populli dhe Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do ta harrojë kurrë këtë akt humanizmi dhe solidariteti me tragjedinë tonë.

Me konsideratën më të lartë, ju sigurojmë që Republika e Kosovës do të mbajë gjithmonë zemrën dhe derën hapur për miqtë si Ju.

S poštovanjem i zahvalnošću,

Albin Kurti
Kryeministër i Republikës së Kosovës