Kryeministri në detyrë, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se presidenti Hashim Thaçi ka bërë shkelje duke e anashkaluar nenin 82.2 të Kushtetutës së Kosovës.
“Ajo që ishte e nevojshme por nuk u bë, përbën shkelje. Presidenti ka vendosur të anashkalojë nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili i referohet situatës pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë. Presidenti po sillet thua se Qeveria varet nga Kuvendi por ky s’varet nga populli, thua se zgjedhjet demokratike janë mjet por jo edhe vlerë”, ka shkruar Kurti.
Tutje ai ka shkruar se ajo që ishte e panevojshme por u bë, po ashtu përbën shkelje.
“Presidenti takoi gjitha partitë parlamentare politike, dhe, më pas kërkoi nga subjekti ynë fitues i zgjedhjeve të propozojë kandidatin për Kryeministër. Pra, Presidenti nuk është neutral, ai ka interes politik dhe synim personal, gjersa duhej t’ishte i paanshëm e procedural. Disi donë të besojë se 25 marsi 2020 ka ndodhur pa 3 shkurtin 2020”, ka shkruar ai.
Ai thotë se do t’i përgjigjen presidentit në një moment të përshtatshëm.
“Sidoqoftë, ne do t’i përgjigjemi, në një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi”, ka shkruar Kurti.