Kurti i hedh poshtë kërkesat e Vuçiqit si “jopaqësore” dhe “fushatë agresive”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka hedhur poshtë si “jopaqësore” dhe pjesë të një “fushate agresive për konflikte të reja” kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq, për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Javën e kaluar Vuçiq bëri thirrje për riintegrimin e serbëve nga veriu në institucionet e Kosovës, duke kërkuar, ndër të tjera, shpallje të zgjedhjeve të reja lokale në veri, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.

I pyetur të martën në Prishtinë rreth kërkesave të presidentit serb, Kurti tha: “Kërkesat e tij, masat e tij, bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin joracionalitet dhe nuk janë aspak paqësore, por përkundrazi pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që pa dyshim nuk kanë vend as në Kosovë”.

Kjo është hera e parë që Kurti i komenton thirrjet e Vuçiqit për riintegrimin e serbëve në veri të Kosovës, të cilat u mirëprtën nga Bashkimi Evropian si një lëvizje pozitive.

Qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022.

Kjo pasoi indinjatën e tyre me një vendim të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës.

Nga ajo kohë, kryetarët e komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, u zëvendësuan me udhëheqës shqiptarë, pasi komuniteti shumicë serb në zonë i bojkotoi zgjedhjet.

Në gjykata, prokurori dhe polici, punonjësit serbë nuk u kthyen.

Kurti tha se kërkesat që ai i ka bërë më herët drejtuar Serbisë “janë paqësore dhe racionale” krahasuar me ato të liderit serb. /REL/