Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se gjendja e tanishme kërkon që të zbatohet Marrëveshja Bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si dhe të qetësohet situata në veri të Kosovës.
Përmes një postimi në Twitter, Kurti tha se i ka bërë këto komente gjatë një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm Italian, Antonio Tajani.
Ai nuk dha detaje të tjera.
Had a phone conversation with the Italian DPM&MFA @Antonio_Tajani earlier today. We both agreed that the current time calls for the implementation of the Basic Agreement and the situation in the north to be calmed down.
— Albin Kurti (@albinkurti) May 29, 2023
Tensionet në veri të Kosovës janë rritur, pasi grupe të serbëve lokalë janë duke protestuar kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të komunave: Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Të premten e kaluar, Policia e Kosovës ka hyrë me forcë në këto komuna për t’i instaluar kryetarët e rinj.
Përleshjet me protestuesit serbë kanë rezultuar me pesë policë të plagosur dhe disa makina të djegura.
Kurti i ka mbrojtur veprimet e policisë, ndërsa bashkësia ndërkombëtare i ka dënuar ashpër ato, duke paralajmëruar se minimizojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.