Kurti: Futja e dinarit serb i inkurajonte kriminelët dhe frikësonte popullin


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se me ndalimin e qarkullimit të dinarit serb, është ndaluar futja dhe transporti përtej kufijve, që sipas tij, u mundësonte grupeve kriminale të forconin ndikimin mbi popullin dhe t’i frikësonin duke inkurajuar kriminelë nga shteti serb.

Kurti ka shkruar në Facebook të dielën se duhet të ndalohet pastrimi i parave dhe pasurimi i paligjshëm, pasi sipas tij, kjo në të kundërtën lehtësohej financimi i terroristëve dhe pengimi i paqes.

“Pra, Kosova nuk e ndaloi dinarin, ashtu siç nuk e ndaloi as dollarin, as funtin dhe as frangun zviceran. I vetmi ndryshim është se nga 1 shkurti, paratë nuk mund të kalojnë kufirin me thasë, siç nuk mund të bëhet në asnjë shtet demokratik, por mund të vijnë përmes llogarive bankare, të tërhequra në euro. Kjo politikë mbron qytetarët nga kërcënimet e krimit të organizuar, trafikimit me armë dhe pastrimit të parave. Deri më tani, mënyra e futjes dhe transportit të parave përtej kufijve u mundësonte grupeve kriminale të merrnin para të importuara ilegalisht, duke forcuar kështu ndikimin e tyre mbi popullin, duke frikësuar masat dhe duke inkurajuar kriminelët nga kreu i shtetit serb”, ka thënë kreu i Qeverisë.

Kurti është shprehur se lufta dhe politika e gabuar e politikanëve “e kishin lënë popullin pa përkujdesje, të varfër dhe të ekspozuar ndaj bandave kriminale”, e sipas tij, ish-zyrtarët e shtetit kujdeseshin për jetën luksoze të tyre.

“Gjatë tre viteve të fundit, ne kemi bërë të pamundurën për të luftuar krimin me hapa të mençur, politikë të bazuar në vendosjen e ligjit dhe sundimin e ligjit. E ngritëm vendin tonë në një nivel më të lartë të demokracisë, që nënkupton edhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe qytetarit, e që u njoh edhe nga organizata prestigjioze Freedom House e më vonë edhe nga Transparency International për luftën kundër korrupsionit, si dhe nga World Justice Project si rezultat i respektimit dhe sundimit të ligjit”, ka shtuar ai.