Kurti: Fushata për konvertimin e targave do të vazhdojë, qytetarët ta shfrytëzojnë këtë periudhë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar këtë të martë se fushata për konvertimin e targave ilegale në ato RKS, do të nisë nga 1 shtatori dhe do të vazhdojë deri më 31 tetor.

Këtë deklaratë Kurti e ka dhënë para mediave, pas takimit që ka zhvilluar me liderët e opozitës, të cilët i ka ftuar për t’i informuar lidhur me takimin e 18 gushtit në Bruksel.

“Fushata për targat do të vazhdojë dhe qytetarët ta shfrytëzojnë periudhën për konvertimin e targave”, ka thënë kreu i ekzekutivit.

Sa i përket takimit me liderët opozitarë, Kurti ka thënë se i ka informuar për çdo gjë relevante që ka pasur.

“Është gatishmëri dhe interes i imi që t’i informoj për dialogun edhe partitë të cilat nuk janë në qeveri. Në Kuvendin e Kosovës tash kemi një pauzë dhe kjo është arsyeja që konsideruam që është e një rëndësie të veçantë që ta zhvillojmë këtë takim”, ka deklaruar ai.

“Unë besoj që informacion që është i rëndësishëm nuk ka që është mbajtur prej nesh. Gjithçka që është relevante e kemi ndarë me ta. Nëse kanë pasur informacione tjera relevante që ua kanë dhënë ndërmjetësit, atëherë ata duhet të tregojnë se cilat janë ato informacione”, ka përfunduar Kurti.