Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar qytetarët që t’i dorëzojnë vetë targat ilegale, pas nisjes së zbatimit të reciprocitetit për targat e përkohshme për veturat nga Serbia. Në konferencën për media, ai ka thënë po ashtu se nuk po mendon të marrë masa ndaj ministrit Goran Rakiq, që është parë me protestuesit serbë që kanë bllokuar rrugën në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, si shenjë kundër vendimit të Qeverisë.
“Zëvendësimi i tabelave nuk mund të jetë i përnjëhershëm sepse jo të gjitha automjetet janë në qarkullim, por ne nuk kemi as prioritet, as synim që të gjurmojmë për secilën veturë që mund të mos i ketë targat e Republikës së Kosovës. Tani jemi të fokusuar në pikat kufitare, por nuk do te ketë kurrfarë ndjekje të qytetarëve për tabelat. Më së miri do të ishte që qytetarët vetë t’i sillnin targat ilegale”, ka thënë ai.
Ndërkaq për ministrin për Komunitete dhe Kthim, i cili mungoi edhe në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Kurti ka thënë se vetë ministri e ka informuar se “po përpiqet që situata të mos eskalojë”.
“Kemi mospajtime, por nuk mund të ankohem për komunikimin. Me aq sa jam informuar dhe që më ka treguar ai, besoj që është përpjekur që situata të mos eskalojë, të mos ketë veprime të dhunshme dhe nuk mendoj të marrë masa ndaj tij”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë po ashtu se njësitet speciale të Policisë janë në veri për shkak të “imponimit” për një gjë të tillë. Ai ka thënë se atje policët janë vetëm për të mbrojtur e ruajtur pikat kufitare.
Kryeministri po ashtu ka thënë se Kosova është e gatshme për dialog dhe se refuzim për këtë ka pasur vetëm nga Serbia.