Kurti flet për takimin me Lajçak: Kosova nuk ka kurrfarë faji, jemi gati për zgjedhje në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën pas mbledhje së Qeverisë, është pyetur për situatën në veriun e vendit.

Ai ka dhënë detaje nga takimi i djeshëm me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Në takimin e djeshëm që kemi pasur me emisarin evropian Lajçak, që në fakt është emisari i Borrellit, kemi diskutuar për të dyja temat edhe deeskalimin edhe normalizimin. Sa i përket deeskalimit unë i kam siguruar jo vetëm Lajçak dje, por edhe të dielën Borrellit se qeveria e Kosovës kurrsesi nuk kontribuon në eskalim asnjëherë. Ne duam polici për zbatim të ligjit e siguri publike që nuk e përjashton askënd. E kam siguruar që policët që janë nëpër komuna në veri të vendit tonë, nuk janë duke zhvilluar operacione në rrethinën e atyre ndërtesave. Sepse komunikatën që Borrelli e pati lëshuar nga Moldavia ku po mbahej samiti i komunitetit politik thoshte që në afërsi të ndërtesave të mos ketë operacione. Unë ua konfirmova se nuk ka pasur dhe nuk ka operacione të tilla”, tha Kurti në konferencë, raporton Nacionale.

Kurti ka përsëritur qëndrimin e tij se janë të gatshëm për zgjedhje të reja, por që kjo duhet të bëhet në pajtim me Ligjin për Zgjedhje.

“Gjithashtu sipas kërkesës së tyre kam shprehur gatishmërinë tonë për zgjedhje të parakohshme në veri, sepse këto zgjedhje janë e vetmja mënyrë si të bëhet ndërrimi i pushtetit. Ndërrimi i pushtetit nuk bëhet me dhunë. Nuk bëhet duke plagosur policët e ushtarët. Por vetëm me zgjedhje të parakohshme. Ligji e tregon se si mund të bëhet me mbledhjen e nënshkrimeve të një peticioni që e nisin procesin për ato zgjedhje. Natyrisht që insttiucionet e Kosovës do t’i respektojnë të gjitha procedurat ligjore”, deklaroi tutje Kurti.

Kryeministri theksoi se fakti që nuk po ka zgjidhje, është se Serbia nuk po e zbaton marrëveshjen.

“Sa i përket normalizimit po e vë theksin se kemi nevojë për zbatim të marrëveshjes, dhe mos të harrojmë se kemi marrëveshje. Shumëçka që trumbetohet në media vendore, Serbi e ato ndërkombëtare, ka krijuar përshtypje se nuk kemi zgjidhje se nuk ka marrëveshje. Në fakt nuk ka zbatim të marrëveshjes. Kosova nuk ka kurrfarë faji. Kosova është zotuar ta nënshkruajë marrëveshjen”, deklaroi kryeministri Kurti.

“Kam kërkuar nga Lajçak që raportet e mira me Serbinë mund të bëhen duke mos i braktisur vlerat evropiane. I tillë duhet të jetë edhe zbatimi me çfarëdo ideje. Jo mesi i pozicioneve të palëve, ky nuk mund të jetë pikënisja, por duhet të jetë testi i vlerave evropiane. Andaj edhe në këtë aspekt kam kërkuar dje që gjithçka që është në marrëveshjen bazike të figurojë në sekuencën e zbatimit. Të mos kemi diçka që e lëmë anash. Takimi i djeshëm ka qenë pozitiv, me aso pështypje ka dalur edhe Lajçak. Do të ketë edhe takim edhe me zëvendësim tim Bislimi, dhe ta shohim si mund të punojmë në këto dy drejtime”, tha më tutje Kurti.

Por, sipas Kurtit çka ka kontribuar në deeskalimin e situatës?

“Unë besoj që çfarë ka kontribuar në deeskalim është ndarja që kemi bërë si qeveri e Kosoëvs mes ekstremistëve të dhunshëm, dhe komunitetit serb në anën tjetër. Qytetarët pavarësisht etnisë janë paqësor, ekstremistët e dhunshëm dhe grupet kriminale janë ato që duhet të merren organet e rendit. Ne nuk duam t’i barazojmë komunitetin serb dhe këta ekstremistë të dhunshëm. Edhe Ligji na e kërkojnë një gjë të tillë, andaj e kam siguruar Lajçakun që edhe gjatë arrestimit, edhe trajtimit që bëhet në paraburgim i këtyre qytetarëve është i drejtë, ligjor sipas rregullave. Nuk do të tolerohet asnjë shkelje që ndokush mund ta paramendojë. Ne i trajtojmë këto me përikëri dhe përkushtim sepse qytetarët edhe kur arrestohen edhe kur paraburgosen edhe kur dënohen mund të mos e kenë lirinë, por i kanë të drejtat e njeriut”, tha kryeministri.

Kurti sërish vlerësoi se masat e BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta.

“Takimin e kam filluar me vërejtjen time, me theksin tim që masat ndaj Kosovës janë të padrejta, edhe pse thuhet se janë të përkohshme, edhe pse Kosova nuk ka asnjë faj as për eskalim e as për mosnormalizim të raporteve”, përfundoi Kurti.

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, pas Kosovës pritet të shkojë edhe në Serbi.