Kurti flet në telefon me Macronin, e falënderon për deklaratën franko-gjermane kundër mocionit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Francës, Emannuel Macron me të cilin kanë diskutuar për situatën aktuale lidhur me koronavirusin, si dhe për atë politike.

Sipas njoftimit për media, Kurti e ka falënderuar fillimisht presidentin francez për mbështetjen që kanë dhënë për Kosovën në luftën kundër koronavirusit.

“Më së pari, z. Kurti e falënderoi Presidentin dhe qeverinë franceze për mbështetjen që i kanë dhënë Franca dhe Bashkimi Evropian Kosovës në luftën kundër COVID-19. Ndihma evropiane e caktuar për Kosovën filloi me 5 milionë euro dhe do të ka kap vlerën e përgjithshme prej 68 milionë eurosh. Z. Kurti e informoi presidentin Macron për masat e marra prej Qeverisë dhe rezultatet. Beteja kundër virusit COVID-19 mbetet prioritet i drejtpërdrejtë i Qeverisë në detyrë”, shkruhet në njoftim.

Gjithashtu, bëhet e ditur se Kurti ka diskutuar me Macron edhe për deklaratën e përbashkët franko-gjermane lidhur me mocionin, derisa, ka përsëritur se janë kundër krijimit të qeverisë së re pa shkuar në zgjedhje.