Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka marrë edhe një mandat në krye të kësaj partie.
Në zgjedhjet e brendshme që u mbajtën të dielën, Kurti, si kandidat i vetëm në garë, mori 98 për qind të vota. Sipas VV-së, kundër Kurtit votuan 0.89 për qind, ndërsa 0.51 për qind abstenuan.
VV-ja njoftoi gjithashtu se për kryetare të organizatës Gratë për Vetëvendosje, u zgjodh Albulena Haxhiu me 94 për qind të votave, ndërsa Behar Jashari u zgjodh kryetar i Rinisë për Vetëvendosje.
“Përgjatë javëve në vijim, procesi do të vazhdojë me zgjedhjen e kryesive të qendrave, e do të përfundojë në fund të muajit Tetor me zgjedhjen e kryesisë së LVV në mbledhjen konstituive të Këshillit të Përgjithshëm.Në këtë proces të gjatë janë strukturuar gjithsej 485 pika në 29 qendra të Lëvizjes Vetëvendosje. Në këto zgjedhje për herë të parë u votua edhe për strukturat e organizatës Gratë për VETËVENDOSJE! dhe Rinia për Vetëvendosje. Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm konstaton se procesi ka kaluar në mënyrë të rregullt si rezultat i një pune të madhe që është bërë gjithandej nëpër qendrat e Lëvizjes”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Kurti ka qenë kryetar i VV-së nga themelimi i subjektit (2005), ndërsa në zgjedhjet e brendshme të 2015-s ishte zgjedhur Visar Ymeri. Ymeri në 2018-n ishte dorëhequr nga të gjitha funksionet e partisë, derisa Kurti pastaj sërish rimori VV-në.