Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se faza e dytë e rihapjes së vendit do të fillojë më 18 maj, siç është paraparë.
Ai tha se kjo po bëhet me rekomandimin e IKSHPK-së, pasi numri i infeksioneve ka rënë kohëve të fundit.
“Do të kalojmë në fazën e dytë varësisht prej gjendjes epidemiologjike. Kemi parë se nga masat që kemi marrë, punës së mirë të punonjësve shëndetësorë dhe policisë, numrat kanë rënë ndjeshëm. Por, kemi parë se në javën e fundit kemi sërish një ngritje. E megjithë këtë ngritje të përgjithshme rekomandimi zyrtar i IKSHPK-së në bazë të gjendjes është se hapja e fazës së dytë mund të vazhdojë më 18 maj ashtu siç është planifikuar”.
“Këto biznese do të hapen nga e hëna: Flokëtarët dhe sallonët e bukurisë, stomatologët dhe fizoterapeutët, tregu i gjelbër dhe shitësit me pakicë, gastronomia në formatin merre me vete, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçantë, qendra e telefonikëve me staf të reduktuar, galeritë dhe muzetë”.
Kurti gjithashtu njoftoi se në fazën e dytë qytetarët mund të lëvizin një orë më shumë në ditë se tani, pra katër orë gjithsej.