Kurti e pranon propozimin e BE-së për Asociacionin

Qeveria e Kosovës në një komunikatë për media ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti, e ka pranuar Marrëveshjen Bazike të Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe Aneksin Zbatues të Ohrit të 18 marsit 2023.

Këto dokumente të dakorduara janë një sukses i përbashkët me Bashkimin Evropian. Marrëveshja duhet zbatuar në tërësi, pa kushte, pa vonesa”, thuhet në njoftim.

Në komunikatën e lëshuar nga Qeveria bëhet e ditur se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq e ka refuzuar marrëveshjen duke dhënë një arsyetim.

Presidenti i Serbisë, Vucic, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023”, thuhet në njoftim.

Tutje, Qeveria e Kosovës ka treguar më në detaje zhvillimet e sotme në Bruksel.

Në takimin e sotëm, me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Miroslav Lajcak, Kryeministri Kurti i falënderoi të gjithë ata për rolin, angazhimin dhe kontributin për paqe dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.

Qeveria e citon kryeministrin për deklaratat në lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit, ku ka kërkuar ekstradimin e personave përgjegjës në Kosovë.

Hetimet për grupin paramilitar e terrorist të sponzorizuar nga Serbia, duhet të përcaktojnë saktë se kush krejt çka bëri dhe si e ekzekutoi këtë akt agresioni, ndërkohë që nuk ka më dilema as te faktorët ndërkombëtarë mbi fajtorinGrupi paramilitar terrorist i Milan Radoicic dhe përgjegjësit e tjerë duhet të ekstradohen në Kosovë, ku do të kishte një gjykim të drejtë dhe fer, aq më tepër kur dihet se sistemi i drejtësisë në Kosovë dhe proceset gjyqësore monitorohen nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX”.

Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruaj edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike“.

Po ashtu, Kurti tha se Kosova e meriton statusin e vendit kandidat për BE.