Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kanë bërë homazhe në Likoshan dhe Qirez.
21 vjet më parë në këto fshatra policia serbe kishte ekzekutuar 24 civilë të pafajshëm para oborreve të shtëpisë, në shenjë hakmarrje ndaj përleshjes me një njësit të U{K-së te vendi i quajtur Lisi Gjashtënjak.
Viktimat e pafajshme pos që ishin vrarë, edhe ishin masakruar.
Albin Kurti ka thënë se është obligim që të sillet drejtësi për familjarët e viktimave.
“Ne u kemi borxh sa nuk thuhet të gjithë atyre që dhanë gjithçka që ne të jetojmë të lirë. Por në anën tjetër edhe drejtësia është mohuar dhe është obligim i yni instituicional që për të gjithë këta familjarë të sjellim drejtësi duke u përndjekur, gjykuar dhe dënuar kriminelët që kryen e krime të luftës, krime kundër njerëzimit edhe gjenocid. Emrat e tyre nuk harrohen kurrë, gjaku i tyre nuk humbet kurrë., Përkulemi para sakrificës së dëshmorëve e martirëve të kombit. Lavdi të gjithëve”, ka deklaruar Kurti.
E Osmani ka thënë se vetëm duke kërkuar drejtësi e kujtuar sakrificën do të mund të ndërtohet shteti.
“Jemi këtu së bashku me kryeministrin në ardhje për ta nderuar sakrificën dhe luftën çlirimtare, por edhe të gjithë të rënët dhe martirët. Kjo kujtesë historike dhe institucionale na ndihmon që ta kuptojmë çmimin e lartë të lirisë që populli i Kosovës e pagoi. Po ashtu është moment kur ne duhet ta ngrisim zërin tonë për drejtësi për të gjitha viktimat e shkaktuara nga regjimi serb. Vetëm duke kërkuar drejtësi dhe duke e kujtuar sakrificën ne do të mund ta ndërtojmë shtetin”, ka deklaruar Osmani.