Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch.
Kuti në një konferencë për media tha se ka falënderuar senatorët amerikanë për mbështetjen ndaj Kosovës.
“Falënderoj për mbështetjen e fortë për Kosovën, veçanërisht pas sulmit terroristë. Siguria e Kosovës është tema kryesore e bisedave tonë, prezantova informatat mbi sulmin e 24 shtator ku u vra heroi ynë, Afrim Bunjaku. Përfshirja e Serbisë ka ndodhur të paktën në katër shtresa. Kemi dëshmi që edhe kemi shkëmbyer me partnerët tanë, që plani ka qenë për aneksimin e veriut, përmes sulmeve të koordinuara”, tha ai.
Kryeministri tha tutje se duhet parandaluar sulmet e mundshme nga Serbia.
“Institucionet e sigurisë kanë vërejtur se ka pasur rrezik për sulme nga Serbia. Unë jam kryeministër i të gjitha komuniteteve, të gjitha përpjekjet për destabilizim duhet të ndërpritet, duhet të mbahet përgjegjëse Serbia”, tha ai.
Si përfundim, Kurti tha se nuk mund të vazhdohet dialogu sikur nuk ka ndodhur asgjë.
“Dialogu nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Serbia duhet të dënohet çdo shkelje e marrëveshjes bazë”.
Senatorët amerikanë kanë takuar sot edhe presidenten Vjosa Osmani.