Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka nënvizuar tri marrëveshje nga gjithsej 13 të nënshkruara mes qeverisë së tij dhe asaj të Kosovës, si më të rëndësishmet.
“Kemi firmosur një sërë marrëveshjesh shumë konkrete ku do të nënvizoja për të filluar nga puna për të filluar me studimin e fizibilitetit Durrës Prishtinë, gjë për të cilën të dyja qeveritë kanë përcaktuar në buxhetin 2022 një fond dhe të dyja ministritë janë dakorduar për ngritjen e ekipit të përbashkët të punës në ndërkohë. Dua të nënvizoj marrëveshjen që çon në një nivel të ri bashkëpunimi doganor, një kërkesë legjitime e kahershme e eksportuesve dhe importuesve në dy anët e kufirit që do jenë përfituesit e drejtpërdrejt. E treta dua të nënvizoj, që tanimë më në fund është dakorduar krijimi i një regjimi të ri doganor për ta në kufi duke pasur parasysh domosdoshmërinë që të mos krijohen radhë të pafundme. Dy ministritë e brendshme kanë rënë dakord për një sistem monitorimi të pikave kufitare me kamera, d.m.th. pa kontrolle fizike të atypëratyshme”, ka thënë ai.
Rama ka thënë se përgjatë viteve ka pasur ngecje dhe jo të gjitha marrëveshjet e arritura janë zbatuar, teksa vlerësoi qeverisjen aktuale të Kosovës se kanë “qasje dinamike dhe jemi fokusuar te një numër marrëveshjesh që janë jo vetëm konkrete në fjalë por edhe punë konkrete”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mbledhja e qeverive është hap i rëndësishëm në koordinim dhe sinkronizim.
“Bashkëpunimi mes dy qeverive do të forcojë shtetet tona dhe do të jetësojë ëndrrat e qytetarëve për të jetuar krenare në vendin e tyre. Kjo mbledhje dhe marrëveshjet janë në horizontin e integrimeve në BE që është fati ynë. Marrëveshjet do na mundësojnë që programet e dy qeverive t’i përkthejmë në veprime sa më konkrete që të jenë efektive e frytdhënëse”, tha Kurti.
Marrëveshjet e nënshkruara:
-Marrëveshja për krijimin e sekretariatit koordinues ndërqeveritarë
-Marrëveshja për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore ose të kontrollit hyrje/daljet e mallrave.
-Marrëveshja për lehtësimin e procedurave për marrjen e lejeqëndrimit të përkohshëm.
-Marrëveshja për rregullat e regjimit lokal të kufirit.
-Marrëveshja për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec-Kukës-Kryshevc-Dragash.
-Marrëveshja për sigurime shoqërore.
-Marrëveshja për ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë
-Njohja dhe njësimi reciprok i diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet tjera të autorizuara.
-Marrëveshja për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare.
-Kalendari i përbashkët kulturor vjetor Shqipëri-Kosovë
-Marrëveshja për avancimin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë
-Marrëveshja e bashkëpunimit mes Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Kosovës.
-Marrëveshja për bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve.