Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, zëvendësministrat, Hysen Durmishi dhe Jeton Raka, dhe deputetë të Kuvendit të Republikës, e nisën duke parë nga afër punën në Projektin ”Zgjerimi i Rrugës Nacionale M2″, të rrugës Prishtinë – Mitrovicë.
Me rastin e fillimit të këtyre punimeve në segmentin Lumi i Madh, i cili ka një gjatësi prej 9.78 km, kryeministri Kurti vlerësoi intensitetin e lartë të punës.
“Kjo pjesë dihet që ka dendësi shumë të madhe të trafikut dhe është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët, të Prishtinës, të Mitrovicës, por edhe më gjerë se kaq, meqenëse kjo bëhet pjesë e lidhjeve shumë më të mëdha e më të gjera rajonale”, u shpreh ai.
Pas përmbushjes të të gjitha obligimeve në lidhje me pagesat e pronave të shpronësuara për nevojat e projektit, siç tha edhe ministri Aliu, punët ndërtimore të segmentit i cili lidh korridoret e autostradat, përfshijnë zgjerimin e rrugës ekzistuese duke e transformuar atë nga një rrugë me dy korsi në një rrugë me dy drejtime të ndara, secila me dy korsi të gjerë 3.75 metra, dhe korsi ndihmëse në të dyja anët me gjerësi 2 metra, si dhe objekte dhe struktura infrastrukturore të tjera.
“Jemi jashtëzakonisht të interesuar që të kemi mbikëqyrje, të kemi punë cilësore dhe të kemi punë të kryer brenda afatit. Do t’i kushtojmë së pari rëndësi segmentit deri në Vushtrri që i bie që të kemi sa më shpejt zgjidhje të problemit me trafikun, do t’i respektojmë standardet e specifikat që kërkohen nga projekti”, vazhdoi tutje ministri Aliu.
Me një vlerë kontrate prej 25 milionë euro, ky projekt financohet nga huamarrja nga Fondi i OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar (OPEC Fund) në bashkëfinancim me Fondin Saudit për Zhvillim (Saudi Fund for Development SFD).
“Tash me Qeverinë tonë, ne kemi shumë përgatitje, plane të hollësishme. Andaj edhe punët janë të rregullta sipas procedurave, sipas ligjit me mbikëqyrje, dhe me shpejtësi ku nuk do të mungojë sigurisht angazhimi ynë, përkushtimi ynë, por edhe mbikëqyrja e këtyre kompanive si operatorë ekonomik të cilët i zbatojnë punët”, përmbylli kryeministri Kurti.
Për këtë projekt, operator ekonomik është konsorciumi “JV HYDROSTROY JSC SOFIA & ESKAVATORI LLC” nga Bullgaria dhe Kosova. Gjithashtu, Kompania “IC Consulenten” nga Austria është angazhuar për mbikëqyrjen e punimeve në këtë segment, duke kryer rolin e Inxhinierit të pavarur për mbikëqyrjen e ekzekutimit të punimeve.
Kjo rrugë është pjesë e rrjetit TEN-T, Route 6A që lidh Korridorin VIII në Maqedoninë e Veriut (Shkup) përmes Prishtinës me Route 4 në pjesën lindore të Malit të Zi.
Prononcimi për media i kryeministrit Kurti:
Ndodhemi këtu në segmentin Lumi i Madh, Gojbulë, në rrugën Nacionale M2 Prishtinë-Mitrovicë, e cila po fillon punimet me intensitet të madh, pasi që ka përfunduar gjithçka sa i përket shpronësimeve që na kanë zvarritur kaq shumë e gjatë.
Këtu jam bashkë me Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, dhe Infrastrukturës, Liburn Aliun, me zëvendësin, Hysen Durmishin, dhe me kolegë të tjerë, me rastin e fillimit të këtyre punimeve në këtë segment të gjatë nëntë kilometra e 780 metra, me ç’rast huamarrja, financimi është siguruar nga fondi zhvillimor i OPEC-ut dhe nga Fondi Saudit i Zhvillimit.
Kjo pjesë dihet që ka dendësi shumë të madhe të trafikut dhe është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët, të Prishtinës, të Mitrovicës, por edhe më gjerë se kaq, meqenëse kjo bëhet pjesë e lidhjeve shumë më të mëdha, e më të gjera rajonale për çfarë do t’iu shpjegojë më mirë ministri Aliu, por sigurisht që është një ditë e mirë.
Kompania nga Kosova, kompania nga Bullgaria, punojnë bashkë, ndërkaq mbikëqyren nga një kompani nga Austria. Andaj, të gjithë qytetarëve të Republikës, jo vetëm të kësaj zone këtu, urime e përgëzime dhe do të përpiqemi që punimet të shkojnë mbarë, mirë dhe shpejt.
Pra, siç e tha Ministri, në të kaluarën ka pasur plane të dobëta, e përgatitje të pakta dhe zvarritje të gjata. Tash me Qeverinë tonë, ne kemi shumë përgatitje, plane të hollësishme. Andaj edhe punët janë të rregullta sipas procedurave, sipas ligjit me mbikëqyrje, dhe me shpejtësi ku nuk do të mungojë sigurisht angazhimi ynë, përkushtimi ynë, por edhe mbikëqyrja e këtyre kompanive si operatorë ekonomik të cilët i zbatojnë punët. Nga një rrugë e cila ishte me dy korsi, tash do të kemi rrugë nacionale, me dy drejtime, secila me nga dy korsi, dhe përveç se korsia është 3 metra e 75cm, do të ketë edhe një korsi ndihmëse anash e cila është 2 metra. Pra, nga një rrugë me vetëm dy korsi, po kalohet në dy drejtime, secila me nga dy korsi dhe gjithashtu me korsi shtesë anash ndihmëse.