Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar në telefon të shtunën me të dërguarin e Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peachin, të cilit ia ka shpjeguar se qëllimi i vetëm i qeverisë së tij është që t’i sigurojë qasje në zyre kryetarëve të zgjedhur në katër komunat veriore.
Britani e Madhe, që është pjesë e QUINT-it, dënoi ashpër të premten veprimet e Qeverisë së Kosovës që përmes Policisë t’i asistojë kryetarët e tre komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan – për të hyrë në objektet komunale. Pati përplasje mes Policisë dhe protestuesve serbë gjatë së premten.
“Pata një telefonatë me Stuart Peach për zhvillimet më të fundit. Theksova se qëllimi i vetëm i qeverisë sonë është të sigurojë qasje në zyrat për kryetarët e zgjedhur të komunave”, ka njoftuar Kurti në Twitter.
Kreu i ekzekutivit tutje ka shprehur angazhimin për të punuar me Britaninë e Madhe dhe aleatët e QUINT-it për zbatimin e menjëhershëm të marrëveshjes bazë.