Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Vasfije Krasniqi, ka bërë sot homazhe në përkujtim të masakrës në Studenicë të Komunës së Istogut.
Para 25 vjetëve, në këtë fshat forcat serbe vranë katër nëna edhe katër vajza të mitura, të moshës prej 12 deri në 15 vjeç, si dhe kryeplakun e fshatit.
Pas homazheve dhe vendosjes së luleve të freskëta mbi varret e të vrarëve, kryeministri Kurti tha se jam këtu për të bërë nderime për këta martirë, të cilët u vranë mizorisht para 25 vjetëve.
“As emrat e tyre nuk harrohen kurrë, e as gjaku i tyre nuk shlyhet, sepse ne aty e kemi edhe historinë tonë për neve dhe brezat e ardhshëm, por edhe rrënjët e shtetit që e kemi dhe lirisë që e gëzojmë”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se pas vrasjes mizore forcat serbe i kanë hedhur kufomat në pus, sepse shqiptarët u kanë penguar edhe të gjallë edhe të vdekur.
Ai më tej tha se kriminelëve nga Serbia edhe trupat e vdekur të shqiptarëve u janë dukur që po rrojnë, dhe preokupimi i tyre kryesor nuk ka qenë dilema a të bëjnë vrasje a jo, por çka të bëjnë me trupat.
Duke nderuar të vrarët e masakrës në Studenicë, kryeministri Kurti tha se fakti që ne jemi këtu, fakti që ju jeni këtu e ndërtoni jetën e juaj, zhvillohemi bashkë shoqëria e shteti, qeveria dhe institucionet e tjera, tregon që populli shqiptar dhe Republika e Kosovës ka triumfuar dhe këtë ne duhet të vazhdojmë ta forcojmë, sepse kjo është kontribut i yni për drejtësinë historike mbi atë çka na ka ndodhur.
Ndërkaq, për drejtësinë gjyqësore, kryeministri Kurti tha se duhet që organet përkatëse, Prokuroria, Prokuroria Speciale në veçanti dhe gjyqësori të angazhohen me krejt çka munden sa më shpejtë, për shkak se edhe dëshmitarët po kanë moshë gjithnjë e më të shtyrë, e po ka edhe shumë raste kur ata po ndërrojnë jetë, e i kemi faktet materiale, i kemi dëshmitë e deklaratave, por jo edhe njerëzit si të mbijetuar.
Prononcimi i kryeministrit Kurti:
Ju falënderoj shumë nga zemra për këtë mikpritje. Unë jam këtu bashkë edhe me Vasfije Krasniqin, e cila është e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Për çdo ditë po shënojmë 25-vjetorë të masakrave të tmerrshme të krimeve të paimagjinueshme, që janë bërë nga forcat e Serbisë mbi popullsinë tonë civile e të pambrojtur, në kuadër të projektit gjenocidal të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve.
Jemi sot këtu bashkë me juve për të bërë nderime për këta martirë, të cilët u vranë mizorisht para 25 vjetëve, por as emrat e tyre nuk harrohen kurrë, e as gjaku i tyre nuk shlyhet, sepse ne aty e kemi edhe historinë tonë për neve dhe brezat e ardhshëm, por edhe rrënjët e shtetit që e kemi dhe lirisë që e gëzojmë.
25 vjet janë një kohë e cila nuk na e shlyen neve kujtesën, përkundrazi na e ngritë zërin edhe më shumë për drejtësi, sepse para 25 vjetëve këtu janë vrarë katër nëna edhe katër vajza të mitura, të moshës prej 12 deri në 15 vjeç. Katër vajza të mitura dhe katër nëna dhe kryeplaku i fshatit.
Pra, ata pas kësaj vrasje mizore i kanë hedh kufomat në pus, sepse shqiptarët ju kanë penguar edhe të gjallë edhe të vdekur.
Kriminelëve nga Serbia edhe trupat e vdekur të shqiptarëve ju kanë dukur që po rrojnë, dhe preokupimi i tyre kryesor nuk ka qenë dilema a të bëjnë vrasje a jo, por çka të bëjnë me trupat. Diku i kanë zhvarrosur për t’i dërguar në varreza masive në Serbi, diku tjetër i kanë djegur e diku edhe i kanë hedhur në pus, siç ka qenë rasti këtu në Studenicë të Istogut.
Por, fakti që ne jemi këtu, fakti që ju jeni këtu e ndërtoni jetën e juaj, zhvillohemi bashkë shoqëria e shteti, qeveria dhe institucionet e tjera, tregon që populli shqiptar dhe Republika e Kosovës ka triumfuar dhe këtë ne duhet të vazhdojmë ta forcojmë, sepse kjo është kontribut i yni për drejtësinë historike mbi atë çka na ka ndodhur. Ndërkaq, për drejtësinë gjyqësore duhet që organet përkatëse, Prokuroria, Prokuroria Speciale në veçanti dhe gjyqësori të angazhohen me krejt çka munden sa më shpejtë, për shkak se edhe dëshmitarët po kanë moshë gjithnjë e më të shtyrë, e që besa po ka edhe shumë raste kur ata po ndërrojnë jetë, e i kemi faktet materiale, i kemi dëshmitë e deklaratave, por jo edhe njerëzit si të mbijetuar.
Kjo është edhe një arsye pse unë jam bashkë me Vasfijen, e cila ka dëshmuar publikisht edhe në institucionet tona mbi atë se çka ka ndodhur.
Ne nuk guxojmë të harrojnë, dhe nëse nuk harrojmë atëherë fitorja jonë nuk do të jetë vetëm për neve, por do të jetë edhe për brezat që vijnë pas nesh, në mënyrë që asgjë e ngjashme, asnjëherë, askujt të mos i përsëritet kurrë më.
Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve!