Në ambientet e Ballkonit të Hapur të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren Donika Gërvalla, mirëpritën sot qytetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, në mesin e tyre edhe gazetarët ukrainas, për të shënuar bashkarisht Ditën e Pavarësisë së Ukrainës.
Të mbledhur për të përkujtuar këtë moment historik, kryeministri Kurti bashkë me të ftuarit vlerësuan qëndrueshmërinë, vendosshmërinë por edhe unitetin e popullit ukrainas, të cilët ndonëse kanë kaluar 32 vite pas shpalljës së pavarësisë, sot e gjejnë veten përsëri në pozicionin që duhet ta mbrojnë sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të vendit të tyre kundër pushtimit rus.
Në adresimin e tij, kryeministri tha se Republika e Kosovës qëndron plotësisht prapa Ukrainës në këtë mision të shenjtë, duke përmendur së fundmi edhe pjesëmarrjen e Kosovës në Deklaratën e Përbashkët të G7 për Mbështetjen për Ukrainën.
“Vetëm këtë javë, ne iu bashkuam Deklaratës së Përbashkët të G7 për Mbështetjen për Ukrainën. Duke vepruar kështu, ne shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar gjithçka që mundemi për mbrojtjen e Ukrainës, në këtë kohë nevoje”, tha Kurti.
Kryeministri veçoi edhe takimin që pati të hënën në Athinë me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, teksa u shpreh me shpresë që në takimet e ardhshme të mund të diskutojnë se si Kosova dhe Ukraina mund të punojnë bashkë në promovimin e vlerave që ndajmë dhe intersave të përbashkëta që kemi.
Bashkë me urimin për Ditën e Pavarësisë, Kurti uroi gjithashtu herën tjetër e së shpejti të mund të takohemi përsëri, por kësaj radhe për të festuar triumfin e Ukrainës kundër dhunës, brutalitetit dhe agresionit rus, ndërkohë që tha se jemi krenar që ju kemi mirëpritur në vendin tonë dhe të lumtur që Kosova është shtëpia juaj e dytë.