Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar takimin mes krerëve të tri shteteve fqinje, që tashmë ka marrë një emër të ri “Open Ballkan”.
Ai ka thënë se problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor është fakti që kreu i Serbisë nuk ballafaqohet me të kaluarën, kurse për tregun e përbashkët ai ka thënë se një gjë e tillë duhet të nënkuptoi sundim të ligjit.
Mirëpo sipas ti kjo është e pamundur sepse Serbia nuk e pranon të kaluarën kriminale.
“Ne si Republikë e Kosovës konsiderojmë që problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor është mosballafaqimi i kreut të Serbisë me të kaluarën. Përkatësisht me të kaluarën kriminale të Serbisë e cila i shkaktoi katër luftëra në dekadën e fundit të shekullit 20. Tregu i përbashkët duhet patjetër të shoqërohet me ballafaqimin me të kaluarën, me demokratizimin e vendeve tona dhe me sundimin e ligjit. Përndryshe do të kemi më shumë ngjarje që nuk ngelen në kujtesë sesa procese dhe struktura që ndryshojnë për së miri jetën e qytetarëve”, tha ai.
Kurti ka komentuar edhe ndryshimin e emrit nga minishengeni në “Open Ballkan” ku ka thënë që nuk është i entuziazmuar nga ky ndryshim, sepse një emërim i tillë nënkupton hapje ndaj ndikimeve ruse dhe kineze.