Kurti: Asociacioni mund të konsiderohet vetëm nëse plotësohen gjashtë kushtet

Kryeministri Albin Kurti ka folur disa herë sot në seancën e thirrur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, specifikisht për planin franko-gjerman dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kurti ka thënë se propozimi evropian, i njohur si plani franko-gjerman, të cilin ai e ka pranuar, nuk i referohet veçanërisht Asociacionit. Por, ai e pranon se një nen i propozimit të pranuar, flet për marrëveshjet e mëhershme të arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

“Plani kryesor nuk ka asnjë referencë të një Asociacioni, megjëse iu referohet marrëveshjeve të Brukselit, në tërësinë e tyre”, ka thënë Kurti.

Kurti thotë se më tutje do të lidhin shtrohen pyetje për Asociacionin në procesin e negociatave dhe se qëndrimi i tij është se formimi i tij mund të “konsiderohet”, nëse pranohen gjashtë kushtet që ai i ka zbuluar javën e kaluar në Kuvend.

“Tash hapi kryesor, e ku do të lindin pyetjet më serioze në ndërlidhje me Asociacionin, do të jetë në procesin e negocimit të planit të zbatimit. Aty qëndrimi im është: Asociacioni mund të konsiderohet, nëse plotësohet 6-pikëshi, apo gjashtë kushtet, parimet që i kam paraqitur këtu para jush, një javë më parë”, ka thënë Kurti.

Më 2 shkurt, Kurti ia ka prezantuar deputetëve në Kuvend gjashtë pikat e tij, me plotësimin e të cilave “do ta konsideronte” pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kushti i parë i tij është që Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

Kushti i dytë i Kurtit është që Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale.

I treti është që “Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit  ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”.

Kushti numër katër i Kryeministrit është që “Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”.

I pesti; Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.

Dhe kushti i fundit është që “Presidenti i Serbisë t’i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013”.