Kurti: Aplikimin për anëtarësim do t’ia dorëzojmë presidencës çeke të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka thënë se ky është një moment historik për Kosovën.

Kurti ka bërë të ditur se aplikimi do t’i dorëzohet Presidencës Çeke të BE-së në Pragë.

Ai shtoi se progresi do të varet nga “përkushtimi për reforma të thella dhe transformuese që avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe e zhvillojnë ekonominë”.

“Bazuar në aspiratat dhe përkushtimin e pathyeshëm të popullit tonë për paqe, liri, barazi dhe drejtësi, orientimin tonë të qartë evropian e euroatlantik dhe konsensusin shoqëror e politik se e ardhmja e vendit tonë është brenda BE-së, sot po bëjmë hapin e parë drejt anëtarësimit në organizatën më të madhe të paqes dhe prosperitetit në Evropë”.

“Aplikimi në BE i nënshkruar sot nga krerët e Republikës tonë, do t’ia dorëzojmë presidencës çeke të Këshillit të BE-së në Pragë. Ky është moment historik për vendin tonë që synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin dhe shoqërinë tonë”.

“Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne. Ne do të ecim përpara me meriton tonë, me aftësitë tona për t’i përmbushur kriteret. Pengesat dhe sfidat i kalojmë me zhvillim demokratik dhe progres shoqëror”, ka thënë Kurti. 

Fjalimi i plotë:

E nderuara presidente e Republikës,

I nderuari kryetar i Kuvendit,

Të dashur qytetarë të Kosovës,

Të nderuar punonjës të mediave,

Bazuar në aspiratat, vullnetin dhe përkushtimin e pathyeshëm të popullit tonë për paqe, liri, barazi dhe drejtësi;

Orientimin tonë të qartë evropian e euro-atlantik;

Besimin në vlerat fondamentale të Bashkimit Evropian;

Konsensusin shoqëror e politik se e ardhmja e vendit tonë është brenda Bashkimit Evropian;

Sot, po bëjmë hapin e parë drejt anëtarësimit në organizatën më të madh të paqes dhe prosperitetit në Evropë, Bashkimin Evropian.

Aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian të nënshkruar sot nga krerët e institucioneve të Republikës sonë, do t’ia dorëzojmë Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, në Pragë.

Është ky një moment historik për vendin tonë që synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin dhe për shoqërinë tonë.

Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese të cilat e avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe e zhvillojnë ekonominë tonë.

Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne. Prandaj, angazhimi i të gjithëve është i nevojshëm e përkushtimi i secilit, i domosdoshëm.

Ne do të ecim përpara në meritën tonë. Pra, në aftësinë tonë për të përmbushur kriteret në secilin kapitull të ri.

Pengesat dhe sfidat drejt anëtarësimit i kalojmë me zhvillim demokratik dhe me progres shoqëror.

Së bashku, në këto dy vite kemi dëshmuar që kur shpresojmë dhe besojmë, çdo gjë është e mundur dhe nuk ka pengesë që nuk e kalojmë.

Ju faleminderit e urime të gjithëve.