Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në njëvjetorin e vrasjes.
Ai ka shkruar në Facebook se sakrifica e heroit nuk do të harrohet kurrë, duke shtuar se Bunjaku humbi jetën “duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”.
Kurti njoftoi edhe për emërtimin e rrugës Rajonale R-217 në segmentin Ballaban-Banjskë, me emrin e Afrim Bunjakut.
“Në mbledhjen e 221-të të Qeverisë, ndër vendimet tona kryesore ishte emërtimi i Rrugës Rajonale R-217 segmenti: Ballaban – Banjskë, me emrin e Heroit të Republikës së Kosovës “Afrim Bunjaku”. Në njëvjetorin e sulmit terrorist dhe paramilitar kundër vendit tonë në Banjskë të Zveçanit, nderojmë e kurrë nuk harrojmë sakrificën e heroit, rreshterit Afrim Bunjaku, që humbi jetën duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kurtit.