Kryeministri Albin Kurti para kabinetit qeveritar tha se po “kalon me shpejtësi” afati që autoritetet shtetërore i kanë dhënë KFOR-it për largimin e barrikadave në veri.
Kurti shtoi se vendosja e barrikadave është një veprim i “paligjshëm dhe i patolerueshëm”.
Ai ka thënë se qeveria është duke pritur që KFOR-i t’i largojë barrikadat brenda afatit që i është dhënë, shkruan Ekonomiaonline.
“Vendosja e barrikadave në rrugë, është veprim i paligjshëm dhe nuk do të tolerohet. Në përputhje me vlerësimin e sigurisë, ne i kemi dhënë kohën dhe hapësirën KFOR-it për të vepruar, por sigurisht se kjo kohë po kalon me shpejtësi”.
“Nuk mund të qëndrojnë edhe parimi i lëvizjes së lirë, edhe barrikadat në rrugë”, ka thënë ai.