Rreth 120 mijë vota më pak sesa Lëvizja Vetëvendosje si parti, ka marrë lideri i saj, Albin Kurti në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, kur janë numëruar rreth 80% e votave.
Kurti deri tani ka marrë 222,382 vota, ndërsa LVV-ja ka 341,672 vota, sipas përditësimit të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Diferenca: 119,290 vota.
Ai ka dështuar ta arrijë numrin e votave që Vjosa Osmani i kishte marrë në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021. Ajo ishte bërë dhe do të mbetet edhe pas këtyre zgjedhjeve personi më i votuar në histori të vendit, me 300,756 vota, mbi 78 mijë më shumë se ç’numëron Albin Kurti aktualisht.
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka deri tani 135,667 vota. Ai ka marrë afër 49 mijë vota më pak sesa partia, që sipas përditësimit të fundit ka 184,499 vota.
Në zgjedhjet e vitit 2021, Hamza kishte marrë 23,976 vota si kandidat për deputet, ndërsa renditej i treti në listën e më të votuarve të partisë.
Lumir Abdixhiku, kryetari dhe kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka marrë 94,778 vota, rreth 53 mijë më pak sesa ka partia më e vjetër në vend sipas rezultateve të fundit: 147,827. Abdixhiku në zgjedhjet e vitit 2021 kishte marrë 25,267 vota dhe ishte njeriu i tretë më i votuar në parti.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka aktualisht 77,341 vota. Në zgjedhjet e vitit 2021 ai kishte marrë 15,912 vota. Diferenca: rreth 62 mijë vota më shumë tash.
Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK-n Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka marrë deri tani 34,240 vota. Në zgjedhjet paraprake kishte marrë 41,371 vota, mbi 7 mijë më shumë se ç’numëron aktualisht.