Në botën e zhvilluar diplomacia ndërtohet në shtylla të shumta, e kur flitet për diplomaci ekonomike dhe mbështetjeve të bizneseve vendore, roli i Odave Ekonomike është i pa kontestuar dhe strategjik.Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një traditë në funksionimin e odave dhe janë pjesë e të arriturave ekonomike te shteteve të tyre.
Shkruan: Safet Gërxhaliu
Oda Ekonomike e Kosovës është institucion që u themelua në vitin 1962, në sistemin e kaluar dhe me shumë sfida i bëri ballë shumë dallgëve të egra të kohës. Një institucion i pranuar ndërkombëtarisht si anëtar në Eurochammber, ICC – International Chambers Confederaten, WCA – World Chambers Association, Silk Piles Road of Asiatic Chambers Association etj.
Oda Ekonomike e Kosovës, është nënshkruese e qindra memorandumeve të bashkëpunimit me Oda Ekonomike dhe Asociacione të Bizneseve, nga e mbarë bota dhe nga ato vende që Kosovën e kanë pranuar politikisht, dhe nga ato që nuk e kanë njohur ende.
Atë që Federata e Futbollit të Kosovës e bëri me anëtarësimin në FIFA dhe UEFA, e ka arritur edhe Oda Ekonomike e Kosovës në aspektin ekonomik.
Me keqardhje dhe shqetësim jam duke e përcjellë angazhimin e Ministrisë se Tregtisë për ta zhbërë Odën Ekonomike të Kosovës, me pretekstin se do ta themelojnë një Odë të re Kombëtare, dhe atë për të plotësuar dëshirat e disa individëve të pavlerë që sillen nëpër zyre të kësaj Ministrie, që orientimi i tyre politik është gjithandej por më së paku në Lëvizjen Vetëvendosje.
Paramendo të shkatërrohet Federata e Futbollit të Kosovës, vetëm pse urrehet Agim Ademi!? Ose kur e bombarduan Dubrovnikun, ushtarët serb e pyetën një serb nga Trebinja: Pse po e shkatërroni qytetin e vjetër te Dubrovnikut, tha se do ta ndërtojmë një më të ri!
Mund ta shkatërroni Odën Ekonomike të Kosovës për epshe e teka politike dhe kriminale, por ju do të mbeteni të njëjtit sepse nuk e dini që është turpi qe e ka kapluar Ministrinë e Tregtisë. Nuk e kam brengën te tentativa e shkatërrimit dhe njollosjes së Odës Ekonomike të Kosovës, por brenga është çka do të ndodh edhe me Kosovën.
Por, mos të harrojmë se kalaja gjithmonë prishet nga brenda.
(Safet Gërxhaliu është ekonomist i njohur si dhe ka qenë Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK)).