Kupina: Presidentja gjysmën e vitit udhëton nga Gjilani

Presidentja Vjosa Osmani, kishte përfituar sa ishte deputete nga buxheti për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit.

Në raportin e shpenzimeve ndër vite të deputetëve të publikuar nga Kuvendi i Kosovës, Osmani para nga Kuvendi kishte marrë nga viti 2011 deri në 2015. Ndërsa, që nga viti 2015 deri në vitin 2020 e para e vendit nuk kishte marrë asnjë të hollë nga kuvendi.

Osmani i kishte marrë 380 në periudhën nëntor – dhjetor të vitit 2011. Kurse, për janar-dhjetor 2012, shpenzimet i kishte 1,780 euro, për periudhën janar-dhjetor 2013, shpenzimet ishin 1,240 euro. Për periudhën janar-dhjetor 2014, shpenzimet ishin 520 euro.

Ndërkohë, ka reaguar kabineti i presidencës duke dhënë një version që bie ndesh me një deklarim të vet Osmanit, dy vite më parë kur kishte pohuar se banon në Prishtinë me burrin e dy vajzat. Në gushtin e vitit 2020, ajo duke demantuar lajmet se ka blerë tokë, kishte pohuar se ka vetëm banese 53 metërshe, në Prishtinë, e që ankohej se ishte e ngushte për familjen e saj.

E tash këshilltari i saj, Bekim Kupina, në reagimin presidencial për këto shpenzime, thotë se Osmani vazhdon të qëndroj një pjesë të gjatë të kohës në Gjilan.

“Në vitin 2010, kur zonja Osmani është zgjedhur deputete për herë të parë, nuk ka ekzistuar asnjë rregullore, me të cilën parashihej kompensimi i deputetëve për udhëtim prej komunave nga vijnë. Në atë kohë, deputetja Osmani asnjëherë nuk është informuar nga administrata e Kuvendit apo trupat e tjerë të Kuvendit, që ndërkohë është marrë një vendim i tillë për kompensim. Ajo është regjistruar në formularin për regjistrim si deputete e Mitrovicës, por ajo po ashtu asnjëherë nuk ka paraqitur kërkesë për kompensim për udhëtim.  Që nga dhjetori i vitit 2012, Osmani është martuar në Prishtinë, por edhe më tej, më shumë se gjysmën e vitit (nga fillimi i vitit 2013 e tutje), zonja Osmani i kalon në Gjilan, prej nga edhe ka udhëtuar”, ka bërë me dije këshilltari I Osmanit, Bekim Kupina në një postim në facebook.

“Znj. Osmani edhe sot e kësaj dite vazhdon që pjesën më të madhe të vitit të udhëtojë nga Gjilani. Përgjatë viteve 2011-2014 që ajo qenka kompensuar me rreth 80 euro në muaj për udhëtimet e mandatit të parë, ajo asnjëherë nuk është informuar rreth kompensimit për udhëtim. Siç dëshmohet ajo nuk është kompensuar për 4 mandatet e tjera si deputete edhe pse ka udhëtuar për pjesën më të madhe të secilit nga këto vite”, ka shkruar Kupina.